Vendosni fjalën kyçe....

Kongresi bajat i PS-së, imazhi i falsifikuar i një qeverie


Nga Ergys Mërtiri

Rama shkëlqen, kështu, në qeverisje, pa qeverisur në realitet. Ai qeveris vetëm imazhin, duke prodhuar spektaklin e qeverisjes, që i mbivendoset realitetit të qeverisë.

E ndërsa vendi ka rrëshkitur në batak, ai vezullon nëpër kopertina, spote publicitare apo power point-e të koperturave qeveritare.

Edhe kongresi i fundit i PS-së ishte i tillë – një spektakël pa kongres. Parimisht kongresi mblidhet sipas një periodiciteti të përcaktuar, përgjithësisht kur bëhen zgjedhjet për strukturat e partisë, ose në raste të jashtëzakonshme, kur merren vendime të rëndësishme, të cilat janë ekskluzivisht atribut i kongresit.

Mbledhja e tij spontanisht, pa asnjë arsye statutore, e kushtëzuar nga nevoja të tjera, pa lidhje me funksionet reale për të cilat këto forume ekzistojnë, e bën atë një kongres fals, një ngjarje që të kujton kongreset e PPSH-së, një orgji tragjikomike të fetishizmit ndaj pushtetit, që pozon i fryrë puplash ndaj armiqve që na marrin të keqen.

Si gjithçka tjetër, Rama po e përdor partinë si dekor. Strukturat e saj, forumet, anëtarët, ashtu si edhe ministrat, bashkitë, administra, gjithçka tjetër, janë thjesht rimel e të kuq buzësh për fytyrën e shpërthyer silikonesh të një qeverie të zhgërryer në skandale e rrënim.

Kongresi u mblodh jo për të marrë një vendim, por për të ofruar një shfaqje, sigurisht bajate, por të vetmen të mundshme, nëpërmjet së cilës qeveria kërkon ta paraqesë veten sikur po “çan bllokadën” e po ecën përpara “nga fitorja në fitorje”.

Si kurrë ndonjëherë në historinë e politikës shqiptare, kongresi i një partie u shndërrua në një antimiting, për të falsifikuar imazhin e një qeverie që, ndërsa ka prodhuar indinjatë e mllef masivisht, rreket të duket sikur gëzon mbështetje të gjerë popullore.

Në shërbim të kësaj u vu jo vetëm partia dhe qeveria, por edhe administrata, e ngulur përdhunshëm në karriget e një skenografie që i përdor ata për dekor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *