Vendosni fjalën kyçe....

Merr fund konflikti për banesat te “Petro Nini”, familjarët firmosin marrëveshjen me pronarin e truallit


Ka marrë fund konflikti për pronën pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë.  Dy familjet Llapaj dhe Dervishi si dhe pronari i truallit pranë kanë nënshkruar përpara noterit marrëveshjen që i jep fund konfliktit 23-vjeçar.

Familjarët  pranojnë dy hyrjet që i ofron fituesi i gjyqit mbi pronësinë e tokës.

Në zyrën noteriale familjet Llapaj dhe Dervishi firmosën marrjen e hyrjeve të reja. Në një prononcim për “ABC Neës”,  një nga banorët tha: “Familjes Llapaj i dhuron një hyrje 150 metra, familjes Dervishi i dhuron një hyrje 160 metra. Këta e kanë te Kopshti Botanik, ne e kemi te Liqeni i Thatë. Ne kemi shpresuar të merrnim më tepër. Erdhi kjo punë deri këtu dhe jemi tek kjo pjesë”.

Pavarësisht se kishin pretenduar të merrnin më tepër, banorët duken më të qetë që arritën në një zgjidhje dhe i dhanë fund procesit gjyqësor që dukej sikur s’kishte fund.

Përfaqësuesit e biznesmenit Gavoçi, thanë se familjarët do të largohen pasi apartamentet të jenë gati: “Megjithatë ai ka shprehur dëshirën që nuk do i lërë me nga një hyrje, por do i gjenden pranë përsëri. E ka shpreh këtë dëshirë. Por aktualisht sapo të përfundojnë dy apartamentet që janë në shtrim pllakash, personat do lenë shtëpinë dhe do ikin me dëshirën e vet. Kështu që s’ka nevojë për policë, s’ka nevojë për përmbarues, s’ka nevojë për 100 mijë veta atje, për mashtrime dhe gjëra”.

Anëtarët e familjes Llapaj dhe Dervishi që banonin në dy ndërtesat e ngjitura pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë, protestuan për disa ditë kundër largimit nga banesa e tyre pas vendimit të gjykatës për t’i lënë truallin zotit Gavoçi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *