Vendosni fjalën kyçe....

Rama nuk mjaftohet vetëm me Teatrin Kombëtar, paralajmëron të shembë edhe të tjera institucione të kulturës

Në Kongresin e sotëm të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama nuk është tërhequr nga shembja e Teatrit Kombëtar, për të cilin tha se do ta shembë se s’bën, por ka deklaruar se do të bëjë të njëjtën gjë me Bibliotekën Kombëtare dhe me teatrin e Fëmijëve. Po ashtu ka nënkuptuar të njëjtën gjë dhe për Muzeun Historik, të cilin e quajti fantazmë të së shkuarës.

“Sheshi Skënderbej sot është një kryevepër urbanistike, e konfirmuar ndërkombëtarisht, e cila i bën Shqipërisë shërbime të mira duke i dhënë Shqipërisë çmime, komplimenta dhe foto të pafundme nga vizitorët.

Por Muzeu Historik është ende një fantazmë e të shkuarës mu në mes të sheshit. Opera është në kantierë dhe fatmirësisht këtë vit do të rihapë dyert dhe do të tërheqë shumë më tepër vizitorë në qënien e saj tërësisht të rilindur. Por në krah të saj Biblioteka Kombëtare është  i madhi i munguar në transformimin tonë të derikëtushëm.

Teatri i kukullave është një karakatinë që na turpëron përpara fëmijëve tanë. Uroj dhe besoj që deri në fund të këtij mandati qeverisës ne do t’i hapim themelet e Blibliotekës së Re Kombëtare dhe të Teatrit të ri të fëmijëve, këtu pranë te garda, ndërsanë mandatin e ri të erionit do t’i hapim edhe dyert e këtyre dy institucioneve.

“Nuk harroj Teatrin e ri Kombëtar të cilin do ta ndërtojmë me sesbën dhe për turpin e të gjithë atyre që e kanë baltosur pa lindur projektin tonë, le ta bëjmë teatrin e ri kombëtar një kryevepër të konfirmuar ndërkombëtarësisht ashtu si Qemal Stafën e vjetër, Arenën e Re Kombëtare.”, deklaroi Rama.

Vetëm pak javë më parë transmetuesi publik britanik BBC, i kushtoi një reportazh çështjes së Teatrit Kombëtar duke bërë në fund pyetjen nëse çështja e Teatrit Kombëtar do jetë fundi i qeverisjes së kryeministrit artist.

Pavarësisht protestës 1 vjeçare të qytetarëve dhe artistëve që kundërshtojnë fuqishëm prishjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental, pavarësisht analizave kritike nga mediat e huaja prestigjioze, Rama nuk është tërhequr nga plani i tij, por tanimë po paralajmëron se ka të njëjtin plan edhe për intstitucionet e tjera të kulturës./Hashtag.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *