Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e avokatit Ravik Gurra, dhoma e avokatëve të Elbasanit bojkoton seancat gjyqësore


Pas vrasjes së avokatit Ravik Gurra në Elbasan, dhoma e avokatëve të këtij qyteti ka vendosur që të bojkotojë seancat gjyqësore që kanë në ngarkim për tre ditë, në shenjë proteste për vrasjen e kolegut.

Mbrëmjen e djeshme policia ka shoqëruar personat e parë të cilët janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen që tronditi Elbasanin.

Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali të njohur në qendër të qytetit, lokal që gjendej fare pranë shtëpisë së avokatit.

Ravik Gurra ka qenë i ulur në ambientet e lokalit jashtë, kur është qëlluar pas koke nga një person i maskuar.

Paraprakisht dyshohet se autori është afruar në këmbë pranë Gurrës për ta ekzekutuar dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja ku e priste një makinë, që më pas u dogj në dalje të Elbasanit. Gurra është goditur pas koke me dy plumba nga një armë me silenciator.

Gurra në lokal ishte i shoqëruar me dy persona të tjerë në tavolinë, njëri prej tyre gjithashtu avokat. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë.

Viktima ka mbrojtur çështje të bujshme siç është ajo e Capajve dhe Shullazit ndaj dyshohet se vrasja lidhet me motive për punën e tij.

 

Pas vrasjes së avokatit Ravik Gurra, Dhomave e Avokatisë së Shqipërisë u ka bërë apel organeve ligjzbatuese të zbardhin sa më parë ngjarjen e rëndë.

Përmes një deklarate për mediat, DHASH shton se kërcënimet ndaj avokatëve po përshkallëzohen dita-ditës: “Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë, nëpërmjet mediave u vu në dijeni të vrasjes me armë zjarri të avokat Ravik Gurra, anëtar i Dhomës të Avokatisë Tiranë. Ajo e tronditur thellë nga kjo ngjarje, me shqetësim dhe indinjatë të thellë ju kërkon organeve ligjzbatuese duke i dhënë përparësi gjetjes dhe vënies para përgjegjësisë të autorëve të kësaj vepre e cila vjen e bëhet çdo ditë më prezente në kërcënim të jetës dhe shëndetit ndaj avokatëve, veprime që kanë marrë përshkallëzim në rritje ndaj profesionit sa të nderuar aq edhe fisnik të avokatit”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *