Rreth një milion njerëz kanë marrë pjesë në njërin nga tubimet më të mëdha në historinë e Britanisë së Madhe. Ata po kërkojnë që të mbahet referendumi i dytë për çështjen e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Rrugët e Londrës gjatë ditës së djeshme u mbushën me njerëz që kishin ardhur nga të gjitha pjesët e Britanisë së Madhe. Këta protestues po e kundërshtojnë daljen e vendit të tyre nga Bashkimi Evropian dhe po kërkojnë që vendimi përfundimtar të merret nga populli.
Kamerat nga ajri kanë marrë pamje spektakolare të turmës së madhe të njerëzve, të cilët janë mbledhur pranë parlamentit, ku u mbajtën fjalime nga deputetët e të gjitha partive.
Njëra nga pankartat më të veçanta që u shpalosën në këtë protestë masive ishte thënia e deputetit David Davis, “Nëse një demokraci nuk mund të ndryshojë, ajo nuk është më demokraci”.
Në mesin e personave që mbajtën fjalim para protestuesve ishte edhe zëvendëskryetari i Partisë Laburiste, Tom Watson. “Shikoni në dritare, kryeministre. Largojini perdet. Ndezeni televizorin. Këtu është populli”, tha ai.
Numri i madh i njerëzve në protestën e së shtunës po krahasohet me protestën e vitit 2003 kundër luftës në Irak, në të cilën kishin marrë pjesë rreth 2 milionë njerëz, shkruan “Independent”.