Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi: Veliaj po ndërton rrugën e re te Liqeni, për të ngritur më pas kulla të reja në park


Zëdhënësja e Partisë Dmeokratike Ina Zhupa, ka akuzuar kreun e bashkisë Erion Veliaj se po kërkon të ndërtojë një rrugë të re, për t’i hapur vend ndërtimit të kullave të reja në zonën e Gardës së Republikës te Liqeni Artificial i Tiranës.

Sipas denoncimit të Zhupës, kjo rrugë do të lidhë gardën me rrugën e kosovarëve duke i kaluar mespërmes parkut të liqenit.

“Disa muaj më parë në shtator të vitit të kaluar, PD publikoi dokumente zyrtare që zbuluan para qytetarëve planin e Erion Veliajt për ta kthyer zonën e Gardës së Republikës së Shqipërisë te Liqeni Artificial në një zonë të destinuar për ndërtime.

Në atë kohë e sfiduam Erion Veliajt që mos t’ju shiste qytetarëve propagandë por të dilte në debat dhe të shpjegonte përse në planin e përgjithshëm të bashkisë së Tiranës, një pjesë e liqenit do të betonizohet. Por siç e ka zankon Erion Veliaj mashtroi pa dhënë asnjë argument.

Në të vërtetë Erion Veliaj edhe kësaj radhe po mashtron. Zona e Gardës të Republikës, nuk do t’i kthehet parkut të liqenit artificial, por bashkia po bën gati infratrukturën për kullat private që do të ndërtohen.

Katër ditë përpara shpalljes së kandidimit të tij luksoz që sipas mediave ka kushtuar më shumë se 1 milion euro, Erion Veliaj ka shpallur tenderin për ndërtimin e një rruge me gjatësi 650 metra. rruga nuk ka asnjë vlerë të shtuar për qytetin por ajo do të marrë 2 milion euro nga taksat e qytetarëve për t’i shërbyer klientëve të Ramës e Veliajt.

Ajo do të lidhë pikërisht zonën e gardës siç e shikoni me rrugën e kosovarëve duke i kaluar mespërmes parkut të liqenit.

Duke krijuar kështu ekskluzivisht një rrugë të re për kullat që do të ndërtohen aty më vonë, pas prerjes së qindra pemëve.

Oligarkët do ta kenë rrugën e hapur për të ndërtuar kullat mbi 29 metra lartësi, mbi 9 kate me shërbime parking dhe banim.”, deklaroi Zhupa.

Ndër të tjera, Zhupa tha se Veliaj nuk po kursen as “mushkërinë e vetme” të Tiranës, për të pastruar paratë e pista ndërsa ngre disa pyetje për të.

“Tirana e Erion Veliajt është në shërbim të pastrimit të parave. Nuk kursen asgjë. As mushkëritë e kryeqytetit, as trashëgiminë kulturore e historike, e as banesat e qytetarëve. Në vend të shfaqjeve luksoze e korruptive, Erion Veliaj duhet ti japë përgjigje disa pyetjeve të thjeshta.

-Pse hesht ai para qytetarëve që duan të dinë fatin e mkushkërive të vetme të qytetit?

-Cilit oligark ia ka premtuar Veliaj ndërtimin e kullave te parku i liqenit dhe sa para të pista do të pastrohen?

-Cilat janë interesat e Erion Veliajt dhe shefit të tij në këtë aferë të betonizimit të parkut?

PD është dhe do të jetë gjithmonë kundër këtij plani të Ramës dhe Veliajt. Për Tiranën dhe Shqipërinë duhet ti jepet fund drejtimit nga këta dy njerëz  që i  udhëheq babëzia për tu pasuruar ndërmjet betonizimit të kryeqytetit.”, e mbyll fjalën e saj Zhupa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *