Policia ka ndaluar dy persona në Mallakastër, të cilët dyshohen se kanë vjedhur një banesë nën kërcënimin e armëve të ftohta, thika e shkopinj bejzbolli.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur më 22 mars në fshatin Greshicë, ku tre persona të maskuar kanë hyrë në një banesë dhe në kërcënimin e armëve kishin marrë një sasi parash. Po ashtu ata kanë dhunuar familjarët gjatë grabitjes.
Vetëm pak ditë më vonë, policia ka ndaluar dy të dyshuarit K.S, 21 vjeç, dhe A.M, 22 vjeç, të dy banues në Panahor. Sakaq është shpallur në kërkim dhe një i tretë.
“Policia zbardh në kohë rekord ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 22 Mars në fshatin Greshicë të
Mallakastrës ku u vodh me dhunë një banesë.
Ndalohen 2 autorët e dyshuar të vjedhjes me dhunë, shpallet në kërkim bashkëpuntori tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier, pas marrjes së njofitmit se në një banesë në fshatin Greshicë kishin hyrë të maskuar 3 persona ku nën kërcënimin e armëve të ftohta kishin dhunuar familjarët dhe i kishin marrë një sasi lekësh, u ngrit grupi hetimor i cili bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe ndalimin në kohë rekord të autorëve të dyshuar.
Pas një pune hetimore të mirëorganizuar, u bë ndalimi i shtetasve:
K.S, 21 vjeç, banues në Panahor.
A.M, 22 vjeç, banues në Panahor (të dy të dënuar më parë për vjedhje me armë në Greqi.)
Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e bashkëpuntorit tjetër, shtetasit M.H. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier në ngarkim të këtyre tre shtetasve për veprën penale "Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim"”, thuhet në njoftimin e policisë.