Kryetarja e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, është vënë nën hetim pasi ka urdhëruar shembjen e një objekti, ndërkohë që ekzistonte një vendim gjykate që e ndalon një veprim të tillë.
E sqarojmë nga fillimi. Gjykata e Shkallës së parë Administrative në Vlorë dha dje në orën 09:30, vendimin për “ Pezullimin e prishjes së aktit administrativ për njoftimin e prishjes së ndërtimit”. Bëhet fjalë për një objekt që ndodhet nën pronësinë e Jorgo Begës, kreut të LSI-së në Roskovec.
Një vendim i tillë e detyron bashkinë e Roskovecit që të mos ndërmarrë hapa të tjerë për prishjen e ndërtimit që është në pronësi të kundërshtarit politik të kryebashkiakes.
Por pavarësisht vendimit të Gjykatës, Majlinda Bufi ka urdhëruar IKMT-në e Roskovecit të prishë objektin e Begës, duke e zvarritur dhe duke mos e protokolluar vendimin gjygjësor që ishte marrë në të njëjtën datë (23 mars) nga gjyqtari Astrit Shema.
Sapo kryebashkiakja ka marrë vendimin e gjykatës, ka urdhëruar kryeinspektorin e IKMT-së dhe 2 nënkryetarët e bashkisë që ky objekt të prishej brenda 1 ore me urgjencë.
Pronari i objektit, Jorgo Bega i cili është ish-nënkryetar i bashkisë së Roskovecit, është aktualisht kryetar i degës së LSI-së në këtë qytet./Hashtag.al