Në të gjitha qytetet e Maqedonisë pothuajse më lehtë është të gjesh një bastore sesa një barnatore. Ndërsa në rajon, shtetet po mbyllin bizneset e kumarit, vendi aktualisht ka numrin më të madh, krahasuar për kokë banori. Qytetarët thonë se aty ku shkolla dhe kazino janë nën një çati, ardhmëria e të rinjve gjithmonë mbetet një çështje fati, raporton Alsat.
A do të ndjek edhe Maqedonia shembullin e Kosovës dhe të Shqipërisë për mbylljen e lojërave të fatit, apo vetëm do t’i dislokoj ato nga vendbanimet dhe afër institucioneve arsimore, që janë çerdhet, shkollat, madje edhe universitetet, siç po e shihni në këtë rast.
Qytetarët ankohen se objektet e kumarit u kanë “mbirë” në prag të derës. Ata që i hasëm nëpër këto lokalitete me kokë ulur nuk flisnin, të tjerët nuk përmbajnë mllefin.
“Për kazinotë jemi bërë marrja e botës, duhet të mbyllen të gjitha! Njerëzit mendjen janë duke e humbur, të mjerë ata që hynë në to. Më keq s’ka se si bëhet. Unë e kam blerë një banesë, por kur e kam pa pastaj bastoren afër, për besë u bëra pishman.
Duhet të jenë më rrallë, nuk është keq të jenë, por këtu kemi shumë, pothuajse në çdo hap. Kështu që njerëzit s’kanë çfarë të bëjnë nga varfëria shpresojnë se do të fitojnë diçka dhe secili le aty denarin e fundit. Propozoj që të ulet numri dhe të dislokohen diku në periferi, e jo afër shkollave ku lëvizin të rinjtë”.
Nga Lëvizja “Antibixhoz” thonë se ekziston rreziku që në bastoret dhe kazinotë e Maqedonisë të infiltrohen të njëjtat biznese të lojërave të fatit, të cilat janë mbyllur në Shqipëri dhe Kosovë. Kreu i kësaj lëvizje, Xhemal Abdiu alarmon për situatën e kumarit në vend, ku qytetarëve po u imponohet të lënë paratë e fundit. Ai thotë se ky mashtrim duhet të ndalohet në mënyrë institucionale.
“Presim që të miratohet një ligj i ri, edhe pse kjo prolongohet është një çështje që nuk na lë rehat. Nëse i referohemi edhe deklaratës së Ministrit të Financave dhe Kryeministrit që do të miratojnë një ligj, i cili do të jetë i kënaqshëm për të gjithë qytetarët dhe nuk do të lejojnë hyrjen e kompanive të reja, përkundrazi në terren situata është krejtësisht tjetër”- deklaroi Xhemal Abdiu, Drejtues i Lëvizjes “Antibixhoz”.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Anti-Bixhoz gjatë takimit të një muaji më parë në Qeveri, kërkuan një Ligj të ri, ku përveç tjerash 5% e buxhetit që fitohet nga kumari: të ndahet për riparimin e objekteve me interes publik; për rehabilitimin e të varurve nga lojërat e fatit; si dhe të vendoset në kurrikulat shkollore edukimi i nxënësve dhe studentëve për dëmet që i shkakton bixhozi. Kundër këtij fenomeni është protestuar vazhdimisht edhe me kërkesat që objektet e lojërave të fatit të largohen 3 kilometra nga vendbanimet. Ekspertët kanë ardhur në përfundim se këto biznese paraqesin edhe potencial për pastrimin e parave. Përveç krimit financiar, sociologët thonë se varësia, kumarxhinjët i shpien drejt shkatërrimit të familjes.