Vendosni fjalën kyçe....

Basha del nga Prokuroria: Të publikohet përgjigja e SHBA-së dhe Britanisë, s’kemi shkelur asnjë ligj


Kreu i PD-së Lulzim Basha u thirr sot në PD lidhur me çështjen e lobimit në SHBA dhe deklarimet financiare të PD-së në KQZ.

Pasi dëshmoi në Prokurori, Basha tha para mediave se i ka kërkuar organit të akuzës të publikojë përgjigjen e mbërritur prej 6 muajsh nga SHBA dhe Britania lidhur me çështjen, të cilat vërtetojnë se PD nuk ka shkelur asnjë ligj.

“Jemi thirrur sot në Prokurori për të dhënë informacione si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e hetimit.

 Dua ta bëj të qartë për gjithsecilin prej jush sot këtu dhe përmes jush për të gjithë qytetarët, se hetimi i hapur tashmë prej një viti e gjysmë, bëhet në bazën e ligjit 190 për çështjen e plotësimin e formularëve të deklarimit në KQZ, pra çështja që po hetohet është nëse këta formularë janë mbushur apo jo siç duhet.

Ky është hetimi dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat është investuar qeveria e cila e aktivizon këtë hetim sa herë i duhet për nevoja politike. Ka një  vit e gjysmë që ka nisur ky hetim dhe ka më shumë se 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA dhe Britania e Madhe se as PD, asnjë drejtues i PD-së nuk ka shkelur asnjë ligj as në Shqipëri, as në SHBA dhe as në Britani.

Ndaj i kam kërkuar Prokurorisë dhe ju nxis edhe ju t’i kërkoni që të bëjë publike përgjigjet e ardhura prej më shumë se 6 muajsh, të cilat vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk ka shkelur asnjë ligj.”, tha Basha.

Përsa i përket vendimit të tij për të mos u paraqitur të enjten në Prokurori, por sot po, ai tha:“Keni një letër për këtë çështje, mund t’i referoheni.”

Kërkesën e  paraqitjes në prokurori për njohjen e akteve rreth hetimit për respektimin e ligjit në deklarimet financiare të Partisë Demokratike, Basha e konsideroi si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit.

Në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranës të enjten, Basha tha se as ai dhe as ndonjë tjetër drejtues i PD-së nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, arsye për të cilën ata nuk ka nevojë të informohen dhe prokuroria nuk ka asnjë detyrim të informojë për të dhënat e verifikimeve që po bën. Sipas kreut të PD-së, ata janë paraqitur në Prokurori vetëm për të dhënë shpjegimet e tyre që ndihmojnë prokurorinë në këtë çështje.  

Prokuroria ka nisur hetimet pas shkrimit në revistën amerikane “Mother Jones” lidhur me fondet që kjo parti ka paguar për aktivitete të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para zgjedhjeve të qershorit 2017. Artikull për të cilin PD thotë se është paguar nga kryeministri Edi Rama. / Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *