Një shqiptar është plagosur në Itali nga një tjetër bashkëkombas. Sikurse shkruajnë mediat italiane, mes dy burrave ka patur një përplasje dhe njëri prej tyre ka marrë një kaçavidë dhe e ka plagosur tjetrin në kokë.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në komunën Pratola Peligna, ku dy shqiptarët janë takuar pranë një ish-kinemaje.
Ondatv shkruan se ishte ora rreth 17:00 kur nisi sherri mes dy burrave. Më pas 48-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur e goditi në kokë bashkëkombasin me kaçavidë.
50-vjeçari i plagosur, një kontraktor ndërtimi, ka mbërritur në banesën e tij ashtu i gjakosur, duke lënë edhe gjurmët e gjakur në rrugë. Gjë e cila ka bërë të mundur rindërtimin e incidentit nga hetuesit.
Pas ndihmës së shpejtë të dhënë nga një kalimtar, 50-vjeçari më pas u dërgua në spital në Sulmona.
Sipas hetimeve të deritanishme të drejtuara nga kapiteni Maurizio Dino Guida, shkak për sherrin mes dy shqiptarëve është bërë një grua. Shqiptari 48-vjeçar është identifikuar dhe dosja ka mbërritur në organin e akuzës.