Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako ka folur lidhur me zjarret e ditëve të fundit në vend. Sipas tij, zjarret e fundit kanë qenë të qëllimshme, ndërsa ka zbuluar se që nga fillimi i marsit deri tani janë djegur 167 hektarë.
“Dhjetëra vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqe të shumta, në disa njësi administrative në thuajse të gjitha prefekturat. Prej datës 3 Mars e deri më sot ,janë konstatuar 69 vatra zjarri, të cilat kanë djegur 167 hektarë. Për 22 ditë janë djegur sipërfaqe me kullota, pemëtari dhe pyje, të konsideruara si zona të mbrojtura duke sjellë pasoja shumë të mëdha si në ekonomi ashtu edhe në mjedis. Sipas analizës së EC kjo situatë është e qëllimshme. Të gjitha vatrat e zjarrit janë ndezur nga dora e njeriut.”, tha Çako i cili më tej akuzoi autoritetet vendore, se nuk kanë marrë asnjë masë.
Sipas tij, autoritetet vendore mjaftohen vetëm me konstatimin e problemit dhe kërkojnë ndihmë për ndërhyrje nga ajri.
” Me keqardhje vërejmë se autoritetet vendore mjaftohen vetëm me konstatimin e problemit apo kërkesat për ndërhyrje nga ajri. Autoritetet vendore heshtin, kur bëhet fjalë për marrjen e masave parandaluese për raste të tilla apo për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësive të shkaktarëve të zjarrit. Për të gjithë ata drejtues vendorë të cilët bëjnë veshin shurdh ju rikujtoj ligjin për “Për emergjencat civile , “Ligjin për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi”, si dhe të gjitha akteve të tjera ligjore dhe nënligjore. Pushteti vendor është përgjegjësi direkt për organizimin e masave parandaluese, ruajtjen e sipërfaqeve pyjore dhe kullotave dhe identifikimin e vatrës fillestare dhe autorëve me përgjegjshmëri maksimale.”, tha Çako.