Sot ka nisur trajnimi i punonjësve të policisë për procesin zgjedhor të 30 qershorit. Në këtë aktivitet merr pjesë edhe ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt.
Diplomati gjerman tha se policia duhet të garantojë njerëzit se rezultatet përfundimtare pasqyrojnë vullnetin politik të të gjithë shoqërisë shqiptare.
“Megjithëse diskutimet politike kanë potencialin e ulët se besimi publik në proceset themelore demokratike të organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, unë jam i sigurt se sjella profesionale e institucioneve publike, duke përfshirë edhe policinë e shtetit mund të shtojnë tek njerëzit garancinë se vota e tyre me të vërtet është e vlefshme dhe se rezultatet përfundimtare pasqyrojnë vullnetin politik të të gjithë shoqërisë shqiptare. Kam besimin se policia e shtetit do të jetë asnjanës në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe do të sillet me profesionalizëm dhe dinjitet.”, tha Borchard.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në trajnimin me drejtuesit qëndrorë dhe vendorë të policisë. doli për detyrat dhe rolin e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor.
“I nderuar zoti Ambasador BORCHARDT, Të nderuar pjesëmarrës, Zgjedhjet për qeverisjen vendore në Shqipëri, më 30 Qershor 2019, do të jenë veprimtari dhe angazhime me rëndësi sociale për vendin tonë. Ky proces vlerësohet dhe ka vëmendjen e të gjithë opinionit publik shqiptar dhe faktorit ndërkombëtar për faktin e thjesht se është një tregues i rëndësishëm i ushtrimit të të drejtave themelore të njeriut në një shtet demokratik, siç është e drejta e votës, si shprehje të një vullnet të lirë dhe të patjetërsueshëm nga askush.
Pa dyshim Policia e Shtetit është një nga aktorët kryesor, për të siguruar një mjedis korrekt dhe të qetë, për të ushtruar këtë të drejtë nga të gjithë votuesit, por edhe për të ruajtur e siguruar procesin zgjedhor nga pikëpamja e rendit, e sigurisë dhe krimeve zgjedhore. Gjithmonë Policia e Shtetit ka vepruar dhe vepron në bazë dhe për zbatim të ligjit, edhe në këtë rast ajo ka si mision të saj, ruajtjen e rendit publik dhe hetimin e veprave penale vetëm në bazë e për zbatim të detyrave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe udhëzimeve të KQZ-së.
Shembull i qartë i kësaj janë proceset zgjedhore të viteve të mëparshme ku Policia e Shtetit i ka kryer më së miri detyrat e saj, e shprehur kjo dhe në raportet e strukturave të specializuara ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet dhe nga partnerët tanë që asistojnë Policinë e Shtetit. Edhe për këto zgjedhje pritshmëritë për veprimtarinë e Policisë së Shtetit do të jenë cilësisht në rritje dhe të orientuara drejt zbatimit korrekt të ligjit.
Këtij qëllimi i shërben dhe trajnimi i të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, trajnim i cili fillon sot me drejtuesit qëndrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit e do të vijojë më pas me të gjithë punonjësit që do të përfshihen në këtë proces. Gjej rastin të falënderoj Prezencën e OSBE-së në Tiranë, për kontributin e tyre për zhvillimin e këtij trajnimi. Ju siguroj se Policia e Shtetit edhe në këtë proces zgjedhor do të tregojë se është promotore e vlerave më të mira të një shoqërie demokratike. Suksese në procesin e trajnimit të gjithë punonjësve të policisë. Faleminderit !”, tha Veliu.