Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Gjirokastër, shoferët e autobusëve: Ministria e Transportit ka dhënë licenca pa kriter, do djegim makinat tona


Konkurrenca e pandershme ka bërë që kompanitë e transportit të ngrihen në protestë. Tre shoqëri kanë pezulluar transportin rrugor të linjave me të cilat operojnë dhe kërkojnë t’u hiqen licencat operatorëve që i konsiderojnë të pandershëm. Shoferët e linjave interurbane kanë kërkuar heqjen e 90 linjave të transportit që i konsiderojnë abuzive.

Linjat problematike janë disa, por sipas protestuesve situata mbetet shqetësuese veçanërisht në linjat Dropull Tiranë dhe Libohovë-Tiranë. Ata kërkojnë një zgjidhje brenda tri ditësh nga Ministria e Transportit, ose në të kundërt paralajmërojnë bllokim të rrugës nacionale dhe djegien e autobusëve të tyre.

Që në mëngjes, ka patur dhe përplasje fizike mes palëve. Vetëm sot janë shoqëruar 4 persona në Komisariatin e Policisë në Gjirokastër.

“Sidomos në dy vjeçarët e fundur janë futur agjenci pirate. Agjenci të paqena.

Këta bëjnë një lojë të paqenë. Këtu më shumë është faji i shtetit se përse i lejon këto licensa nga Dropulli në Tiranë dhe Libohova në Tiranë? Ne kërkojmë nga shteti, nga bashkia, të na zgjidhin hallin tonë që dy agjencitë private të pezullohen menjëherë, në të kundërt ne do të bllokojmë rrugën nacionale ose do djegim makinat tona. Ose të zgjidhet problemi jonë, ose ne nuk mund të dalim në punë. U rrahëm u shembëm. Duhet me çdo kusht që shteti të ndërhyjë për neve, ju lutem shumë.”, tha një nga protestuesit në një lidhje të drejtpërdrejt me “FaxNews”.

Një tjetër protestues, tha se bëhet fjalë për mbi 40 autobusë të cilat do t’i djegin në rast se nuk gjejnë zgjidhje nga ministria e Transportit.

“Këtu ka arritur që janë rrahur me leva, kanë kaluar në konlikt. Janë shoqëruar në komisariat. Në këto momente që po flasim janë 4 persona që janë shoqëruar në komisariatin e Gjirokastrës.

Prandaj, ne duam një zgjidhje nga ministria e Transportit ose në të kundërt pas 3 ditësh ne do të bllokojmë rrugën kryesore në Gjirokastër ose do djegim makinat tona dhe nuk do digjen pak makina por mbi 40.”, tha protestuesi.

Shoferët akuzojnë Ministrinë e Transporteve për korrupsion duke u shprehur se rreth 90 linja janë dhënë përmes rryshfetit. Sipas tyre, rreth 326 linja janë miratuar kundra ligjit në Parlament.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *