Vendosni fjalën kyçe....

Shpenzime rekord jashtë vendit në 2018-n, “fluturojnë” 1.4 miliardë euro nga Shqipëria


Suitcase on luggage conveyor belt in the baggage claim at airport

Ndërsa 2018-a mund të konsiderohet si viti më i mirë për turizmin në Shqipëri, ku të huajt “zbuluan” vendin e shqiponjave, vetë shqiptarët kanë preferuar që t’i shpenzojnë jashtë paratë e tyre.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit në 2018-n arritën në 1.42 miliardë euro, duke u rritur me 13% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i regjistruar i shpenzimeve jashtë vendit, që pas viteve ’90.

Në të kundërt, të huajt kanë sjellë më shumë para në Shqipëri në udhëtimet e tyre. Sipas Bankës së  Shqipërisë, të huajt që vizitojnë vendin, pjesa më e madhe e të cilëve vinë për vizitë tek të afërmit dhe qëllime turistike, shpenzuan 1.86 miliardë euro në 2018-n, edhe ky një nivel rekord, me një rritje prej 8.8% me bazë vjetore.

Bilanci neto mbetet pozitiv për Shqipërinë, me 430 milionë euro, që është diferenca mes parave që sollën turistët dhe atyre që shqiptarët shpenzuan jashtë.

Por, teksa shpenzimet e shqiptarëve jashtë u rritën me ritme më të larta sesa hyrja e të ardhurave nga të huajt, bilanci neto u përkeqësua me 3.4% në raport me vitin e mëparshëm. Kjo është hera e parë në 5 vitet e fundit, që bilanci i udhëtimeve përkeqësohet, teksa që pas vitit 2013, ai kishte shënuar një përmirësim të ndjeshëm (shih grafikun).

Lëvizjet e shqiptarëve dhe të huajve

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, Shqipërinë e vizituan në 2018-n një numër rekord prej  5.93 milionë të huaj, me një rritje prej rreth 16% në raport me vitin e mëparshëm. 97% e tyre kanë ardhur për qëllime turizmi dhe për vizitë tek të afërmit dhe pjesa tjetër për biznes, trajtime shëndetësore, qëllime fetare apo për tranzit.

Më shumë se një e treta e turistëve që erdhën në Shqipëri në 2018-n ishin nga Kosova, me 35% të totalit. Më pas renditen maqedonasit me 11.4%, grekët (9.3%), italianët (7.3%), malazezët (6%).

Gjatë vitit të kaluar u shënuar një rritje e ndjeshme e turistëve nga Polonia me 35%, por që gjithsesi përbënin vetëm 2.5% të totalit të të huajve që vizituan vendin tonë.

Edhe në kahun tjetër, atë të daljes së shqiptarëve nga vendi, shifrat kanë shënuar rekord në 2018-n. Në total u shënuan 5.4 milionë dalje të shtetasve shqiptarë, me një rritje prej 4.4% në raport me vitin e mëparshëm.

Që nga  viti 2010, shqiptarët kanë pasur mundësi të lëvizin pa viza në Europë, por sidomos që prej 2013-s shihet se daljet jashtë vendit kanë qenë më të shpeshta, periudhë që përkon dhe me rritjen e kërkesave për azil në BE, që kulmuan në 2016-n, me rreth 69 mijë kërkesa, ndërsa gjatë periudhës 2011-2018, kërkesat për azil në total ishin rreth 190 mijë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *