Dy vëllezërit indianë Nitin dhe Chetankumar Sandesara, të cilët rezultojnë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash janë larguar nga Rinasi me avion “Charter”.
Sipas “Balkanweb”, dy vëllezërit indianë rezulton se janë larguar nga Shqipëria me 20 mars 2019 nga aeroporti i Rinasit me avion “Charter”.
Nitin Sandesara kishte hyrë në Shqipëri nga Rinasi po me avion “Charter” më 3 mars, ndërsa Chetankumar me një linjë që vinte nga Parisi me 1 nëntor 2018.
Dy vëllezërit indianë akuzohen për pastrim parash në shifra që kapin vlerën e rreth 725 milionë dollarëve.
Gjykata në New Delhi ka miratuar kërkesën për ekstradim të bërë nga prokuroria, për dy vëllezërit Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara.
Njëri prej tyre, Nitin Sandersara ishte shpallur Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri. Titull që Ministria për Evropën dhe Ministrinë e Jashtme, ia hoqi një ditë më parë.
Dy vëllezërit Sandesara akuzohen se përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë ekompanisë së tyre farmaceutike Sterling Biotech, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.
Kur skandali shpërtheu në janar të vitit të kaluar, dy vëllezërit Sandesara u arratisën nga India. gjatë kohës që lajmi ishte bërë publik edhe në mediat ndërkombëtare, dy vëllezerit Sandesara kanë mbërritur në Shqipëri.
Madje ata kanë arritur të marrin nënshtetësinë shqiptare, një proces gjatë së cilit çdo shtetas i huaj kalohet në sitë nga shërbimi informativ shtetëror dhe autoritetet e tjera të rendit.
Madje vetëm një muaj më parë Nitin Sandesara është pritur zyrtarisht edhe nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
Për më tepër me ardhjen në Shqipëri në fund të vitit 2017, Nitin dhe Chetankumar Sandesara kanë ngritur dy kompani në sektorin e ndërtimit.