Sot është dita ndërkombëtare e Teatrit, por asnjë aktivitet nuk është organizuar sot për këtë rast, ndryshe nga sa ndodh me datat e tjera të shënuara.
Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi, ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke thënë se si kryeministri Edi Rama ashtu edhe ministrja e re e Kulturës Elva Margariti kanë heshtur, për shkak të planit të tyre për ta shembur godinën e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental.
“Dita e teatrit harrohet në emër të korrupsionit!
Kryeministri dhe ministria e Kulturës heshtën në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit.
Një harresë “teatrale” e tyre në emër të korrupsionit miliona euro për shembjen e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar.
Një falenderim nga zemra Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe të gjithë qytetarëve, që protestuan në mbrojtje të vlerave kombëtare. Mirënjohje Qëndrestarëve përTeatrin”, shkruan Vokshi.
Prej më shumë se një viti tashmë, artistët dhe aktivistët e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” nuk janë ndalur me protestat e tyre kundër shembjes së këtij institucioni.
Por pavarësisht protestës 1 vjeçare, pavarësisht analizave kritike nga mediat e huaja prestigjioze, Rama nuk është tërhequr nga plani i tij, madje pak ditë më parë paralajmëroi se ka të njëjtin plan edhe për intstitucionet e tjera të kulturës si Muzeu Kombëtar, Biblioteka Kombëtare dhe Teatri i Fëmijëve.