Vendosni fjalën kyçe....

“Përgjimet e reja dëshmojnë qartë kapjen e shtetit, protesta pa u ndalur deri në largimin e Ramës” – Vasili


Ish-deputeti i LSI-së, Vasili, ka deklaruar se pas publikimit të audio-përgjimeve të reja është e qartë se Policia e Shtetit dhe shteti i Ramës është në dorë të kriminelëve, funksionon për ta dhe u bindet atyre.

Në një deklaratë për mediat nga selia e partisë, Vasili tha se policia dhe prokuroria arrestojnë qytetarët që janë viktima të vjedhjes dhe dhunës së pushtetit dhe lënë të lirë zyrtarët e lartë të përfshirë në afera korruptive dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Ai theksoi se qytetarët nuk duhet t’i tremben më kësaj qeverisjeje kriminale por do protestojnë pa u lodhur deri në rrëzimin e qeverisë dhe çlirimin e vendit nga kapja dhe kriminalizimi.

Deklarata e Vasilit

Të nderuar qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. I gjithë opinioni publik është sot shumë më i tronditur se dje, është sot shumë më i shqetësuar se dje, është sot shumë më i revoltuar se dje pasi është njohur me audio-përgjimet tronditëse, të cilat dëshmojnë qartë që Policia e Shtetit, shteti i ndërtuar dhe qeverisja e ndërtuar nga Edi Rama me shokë është e gjitha në dorë të kriminelëve, funksionon për ta, u bindet atyre dhe i paguan ata.

Të tërë qytetarët nuk mund të shpresojnë më që ky shtet është në krahun e tyre ndaj dhe janë të gjithë të vendosur njësh dhe në bllok në një protestë mbarë popullore, e cila ndodhet sot anë e mbanë vendit dhe prej javësh të tëra është ajo që ka marr fjalën në emër të të gjithë qytetarëve për të zgjidhur një herë e përgjithmonë dhe për tu çliruar nga një shtet që në vend se t’i mbrojë qytetarët, është armiku i tyre.

Kjo polici, kjo qeverisje, kjo drejtësi dhe kjo Prokurori të zellshme pafund për të arrestuar dhe në mes të natës banorë të thjeshtë deri në 6 apo 7 anëtarë të një familje tek Unaza e Re, të cilët mbrojnë pronat e tyre nga grabitja e paparë në historinë e Shqipërisë, në historitë korruptive dhe të frikshme, të cilat Shqipëria nuk i kishte parë kurrë.

Në mënyrë të pamëshirshme rrëmbehen nga Policia, arrestohen dhe trajtohen në mënyrë çnjerëzore, ndërkohë që hajdutët e deklaruar me emër e mbiemër, të cilëve emrat dhe mbiemrat ia njeh e gjithë Shqipëria që nga nivelet më të larta të qeverisë deri në nivelet më të ulëta janë rrugëve të qetë dhe shikojnë në televizor se si arrestohen viktimat e tyre.

Pra qytetarë, viktima të vjedhurit arrestohen, ndërsa kusarët, hajdutët nuk arrestohen. Përfundimisht asnjë shqiptar sot nuk ka as më të voglin dyshim se cila është qeverisja e vendit, se si është kapur prej fyti qeverisja e vendit, se si telekomandohet qeverisja e vendit nga krimi i organizuar dhe nga trafikantët dhe se si nuk ka asnjë mundësi që kjo qeverisje të shpëtojë nga kjo lidhje, nga kjo kapje pa kthim.

Ka vetëm një zgjidhje, ka vetëm një shërim shoqëria shqiptare, ka vetëm një dritë shumë të fortë në fund të tunelit dhe kjo është pikërisht protesta mbarë popullore në të cilën ne sërish do të jemi përpara Kuvendit të Shqipërisë, i cili në vend që të jetë Kuvendi i popullit është kthyer në Kuvendin e kuislingëve dhe kusarëve, për të treguar edhe një herë që shqiptarët refuzojnë në mënyrë të prerë dhe nuk do pranojnë kurrë për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për familjarët e tyre, pra nuk do të pranojnë kurrë të qeverisen nga një qeverisje e kapur e cila i ka tradhtuar plotësisht dhe tërësisht qytetarët, duke i grabitur, duke i plaçkitur, duke dashur dhe ti dhunojë ata.

Asnjë qytetar nuk trembet nga kjo qeveri dhe pikërisht është dhe do të jetë në sheshe sepse do të çlirohet një herë e përgjithmonë prej tyre.

Edhe një herë faktet tronditëse të cilat janë në duart e qytetarëve, audiot e përgjimeve, ku policia tërhiqet për veshi, për gryke nga kriminelët të cilët e keqtrajtojnë, i dhunojnë dhe njëkohësisht paguhen prej saj, janë fakte të cilat do të mbeten të pashlyera në memorien e shqiptarëve, ato do të marrin shpagimin vetëm me protestën  e madhe mbarë popullore, e cila çliron njëherë e përgjithmonë Shqipërinë  dhe vendos një standard të ri shumë të lartë qeverisës, të qeverisjes së pa kapur dhe drejtësisë së pa kapur, të asaj drejtësie që nuk fle para dosjeve, të asaj drejtësie që mbyll ççështjet e tmerrshme që janë në ngarkim të kryeministrit shqiptar dhe është e gatshme të dënojë qytetarin e thjeshtë, pra drejtësi dyfishe, mbrojtje për kusarët e qeverisë dhe ndëshkim për qytetarët e thjeshtë, pikërisht për të mos lejuar një standard të tillë, të lig, të poshtër, apolitik, antishoqëror.

Shqiptarët vazhdojnë dhe do të jenë pa u lodhur në protestë, deri në çlirimin e vendit nga kapja dhe kriminalizimi, pra të gjithë së bashku ta ndryshojmë Shqipërinë dhe ta shpëtojmë Shqipërinë sot për ta kthyer përfundimisht Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve. Faleminderit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *