Vendosni fjalën kyçe....

“Spanja dhe Vatikani të na kërkojnë ndjesë për pushtimin dhe imponimin e fesë” – Presidenti meksikan


Presidenti meksikan, Andrés Manuel López Obrador, ka kërkuar zyrtarisht që mbreti i Spanjës, Felipe VI dhe Papa Françesku, t’i kërkojnë ndjesë Meksikës për pushtimin spanjoll rreth 500 vjet më parë.

Letra përmend masakrat që ndodhën gjatë pushtimeve spanjolle të popujve indigjenë të Meksikës gjatë shekullit të 16-të.

Ai gjithashtu i referohet vendosjes me dhunë të besimit katolik, si dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut të kryera nga forcat që vepronin në emër të kurorës spanjolle.

“Kishat u ndërtuan mbi tempujt, heronjtë tanë patriotikë u shfarosën”, tha ai duke folur pranë rrënojave të një qyteti të lashtë meksikan, në një video të postuar në llogaritë e tij në mediat sociale.

“Ne do të pajtohemi, por së pari duhet të na kërkojnë falje”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Spanjës publikoi menjëherë një deklaratë që kundërshtonte përmbajtjen e letrës së Obradorit.

“Ardhja 500 vjet më parë e spanjollëve në territorin e sotëm meksikan nuk mund të gjykohet në dritën e konsideratave bashkëkohore. Qeveria e Spanjës përsërit gatishmërinë e saj për të punuar së bashku me qeverinë e Meksikës”. – thuhet në deklaratën e qeverisë spanjolle.

Spanja është aktualisht një nga burimet më të mëdha për investimet e huaja meksikane, por qeveria meksikane ende nuk ka ratifikuar një marrëveshje të re të tregtisë së lirë të arritur me Bashkimin Evropian në mes të vitit 2018.

Meksika gjithashtu mburret me popullsinë e dytë më të madhe katolike në botë pas Brazilit.

Pushtimi filloi me ardhjen e spanjollit Hernan Cortes në vitin 1519 dhe Perandoria Aztec e fuqishme u mposht përfundimisht duke hapur rrugën për 300 vjet të sundimit spanjoll.

Meksika përfundimisht e fitoi pavarësinë pas një lufte 11 vjeçare e cila përfundoi në 1821, pas së cilës u bë një republikë federale më 1824.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *