Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka mohuar kategorikisht një ndërmjetësim të krizës politike mes Edi Ramën dhe opozitës së bashkuar nga Presidenti Ilir Meta , duke i cilësuar këto lajme si lojë të zyrës së shtypit të kryeministrit dhe Endri Fugës.
“Këto janë lajme që prodhohen nga portalet e kapura nga Fuga, që hanë bukën e pisët të Ramës.Ne nuk kemi thënë asnjë gjë të tillë. Ka vetëm një objektiv madhor që është largimi i Edi Ramës, si kryeministri i Shqipërisë që ka krijuar trekëndëshin e tmerrshëm ku është futur Shqipëria; trafik droge- krim i organizuar- para të pista; që po rrënon gjithmonë e më shumë Shqipërinë.
Ky kryeministër jo vetëm i ka inkurajuar, por edhe i ka përdorur. Jo më larg në një studio tjetër televizive u denoncuan zyrtarë të inkriminuar në audiopërgjime të reja me zyrtarë të lartë të policisë, që i mban Edi Rama. Nuk mund të jetë ky që të negociojë në emër të askujt. Detyra jonë është zgjedhje të lira dhe të çlirojmë shtetin nga kapja”-tha Vasili në Top Talk.