Raporti i Robert Mueller i cili konfirmoi se Donald Trump nuk kishte bashkëpunuar me Russinë në zgjedhjet e 2016-ës kur fitoi bindshëm kundër Hillary Clinton, ka ngritur shumë pikëpyetje mbi gazetarinë.
Histeria kundër Rusisë sipas kryeredaktorit të “Wikileaks” tregon për një “epokë të errët” në të cilën po kalon gazetaria.
Në një intervistë me gazetarin e “RT”-së, Afshin Rattansi, Kristinn Hrafnsson tha se brenda njëzet e katër orëve pas disfatës “poshtëruese” të Hillary Clinton në zgjedhjet e vitit 2016-ës, “Rusia u bë entiteti që u fajësua për gjithçka.”
Por me përfundimin e hetimit të veçantë të Robert Mueller, sipas tij është e vështirë të imagjinohet se si gazetaria do të shërohet ndonjëherë pas dy viteve sulme kundër Rusisë.
“Ne kemi pasur këtë vrull në media, një epokë absolutisht neo-McCarthyiste që është një poshtërim për gazetarinë. Kush ka fituar? Mund t’ju them se kush ka humbur. Gazetaria në përgjithësi ka humbur. Kjo është një periudhë jashtëzakonisht e errët për mediat kryesore, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe për ata që operojnë në atë treg.”, tha Hrafnsson.
Redaktori i “Wikileaks” shprehu habinë lidhur me faktin se pse ka patur pak ose aspak pasoja profesionale për gazetarët që publikuan këtë konspiracion të pabazë.
“Unë nuk kam asnjë ide se si mediat kryesore, të cilat ishin më aktive në këtë valë kundër Rusisë, do të rikuperohen. Unë thjesht nuk e shoh këtë të ndodhë. Në një botë normale, shumë gazetarë do të zbraznin tavolinat e tyre të punës sot.”, vijoi më tej Hrafnsson.
Ai veçoi gazetarin e “Guardian” Luke Harding, i cili dikur e quajti “Wikileaks”-in një “idiot të dobishëm” për Rusinë dhe që ka publikuar disa artikuj shumë të diskutuar në nëntor, ku pretendohej se ish-menaxheri i fushatës së Trump, Paul Manafort kishte bërë disa vizita te Julian Assange, në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Wikileaks aktualisht po padit “The Guardian” mbi historinë e botuar.
“Kush është idiot? Luke Harding botoi një libër të quajtur ‘Collusion’ ku ai pohon se kishte pasur bashkëpunim në zgjedhje dhe se ‘Wikileaks’ paska qenë në mes. Por vetë gazeta e tij tani në faqet e para po i tregon se e kishte gabim. Dua të them, a ka ende punë në ‘Guardian’? “, tha Hrafnsson.
Kryeredaktori i “Wikileaks” ndër të tjera tha se nuk e kupton pse organizata e tij u veçua për botimin e emaileve të Hillary Clinton.
“Ka pasur dhjetra organizata mediatike që po e shpërndanin informacionin e saktë. Por pse veçoni dhe përmendni vetëm Wikileaks?” – u ankua Hrafnsson.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e RT/ Përshtati në shqip Hashtag.al