Vendosni fjalën kyçe....

Ja gazetarët e përgjuar dhe përndjekur nga policia politike e Fatmir Xhafaj (Video+Foto)


Disa video dhe foto të siguruar në mënyrë ekskluzive nga “Boldnews.al” tregojnë anën e errët të Policisë së Shtetit, e cila ka përndjekur dhe survejuar disa prej gazetarëve të njohur të Aktualitetit në Shqipëri, por edhe të huaj, gjatë vitit 2018.

Pamjet janë filmuar e fotografuar në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj. Ai ka zgjedhur të aplikojë metodat e komunizmit në survejimin e gazetarëve, kritikë me qeverinë socialiste të drejtuar nga Edi Rama, ku ai ish-hetuesi i periudhës së diktaturës drejtonte “krahun e armatosur”.

Vëzhgimi dhe përndjekja e gazetarëve nga forcat operacionale policore është realizuar pas shpërthimit të skandalit “Babale”, në të cilën rezultote se Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafajt, vijonte trafikun e narkotikëve, një aktivitet kriminal që i ishte dokumentuar që në vitin 2001.

I gjendur në kritikat publike dhe opozitare, Fatmir Xhafaj ka angazhuar strukturat në varësi të tij për të vëzhguar, përndjekur dhe siguruar informacion për gazetarët, të cilët raportonin për redaksitë e tyre të dhëna për Agron (Geron) Xhafaj.

Fotot dhe videot e siguruara nga “Boldnews.al”, të cilat gjenden në dosjen hetimore “Babale”, provojnë faktin se forcat operacionale të Policisë nuk kanë pasur si objektiv vëzhgimin e vëllait të ministrit të Brendshëm, të akuzuar për trafik narkotikësh.

Objektivi kryesor ka qenë kontrolli mbi aktivitetin e gazetarëve, skema të cilat rikthejnë në kujtesë metodat e errëta, të ndjekura gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri.

Në qendër të vëzhgimit, survejimit dhe përgjimit ka qenë gazetarin Jetmir Olldashi, i cili realizoi audio-regjistrimin e dëshmitarin Albert Veliu (Babale). Ky i fundit akuzonte Agron (Geron) Xhafaj për vijimin e trafikut të narkotikëve, një aktivitet kriminal në të cilin ai është dokumentuar si i përfshirë që në vitin 2001.

Por, krahas Olldashit, dosja hetimore zbulon edhe të tjera fakte skandaloze për përndjekjen dhe survejimin e gazetarëve.

Reporterja e mirënjohur e Aktualitetit në Top Channel, Anila Hoxha, publikoi pak ditë më parë në profilin e saj në “Facebook” një video të realizuar nga forcat operacionale, gjatë një bisede që ajo po zhvillonte me dëshmitarin kryesor të çështjes “Babale”, Albert Veliu.

Në një koment plot ironi, gazetarja Hoxha shkruan: “Këtu jam unë me Babalen, duke e bindur për intervistë, por isha shumë e qartë që nuk isha vetëm…Çuna, mjaft duke ngrënë fara, mos qëndroni grumbull dhe mos bëni sikur dëgjoni një barsaletë dhe sytë i keni gjetkë…” ironizon ajo punonjësit e grupeve të vëzhgimit të Policisë.

Por gazetarja Anila Hoxha nuk është vetëm një “marrëzinë” e “çunave” të Fatmir Xhafajt për të përgjuar dhe survejuar gazetarët.

Në fotot më poshtë shihet gazetari dhe drejtuesi i emisionit ‘Ajsberg”, Artur Çani, i cili rezulton i përndjekur nga Policia e Shtetit pas shpërthimit të skandalit “Babale”. Këto foto janë shkrepur menjëherë pas një emisionit të televizionit “Ora Neës, ku gazetarët Artur Çani dhe Jetmir Olldashi folën për rastin.

Artur Çani, si përherë i vëmendshëm për ngjarjet, ishte duke filmuar dhe fotografuar disa kazanë mbeturinash të “Lali Erit”, të cilat ishin në flakë. Por, ai nuk ishte në dijeni se nga fotograf, në atë moment ai ishte objekt fotografimi dhe filmimi nga grupet e vëzhgimit të forcave operacionale të Fatmir Xhafaj.

Gazetari Çani rezulton një prej më të përndjekurve dhe të survejuarve nga “çunat” e Fatmir Xhafajt. Fotoja më poshtë, në të cilën dallohet automjeti në pronësi të gazetarit Artur Çani, dëshmon se ai është ndjekur, filmuar e fotografuar, si natën, ashtu edhe ditën.

Syrit të “mprehtë” të përgjuesve të Policisë nuk u ka shpëtuar as një gazetar i Al Jazeera, i cili ndodhej në Shqipëri për të intervistuar gazetarin Jetmir Olldashi, pas shpërthimit të skandalit “Babale”.

Është tërësisht e paqartë se çfarë kanë synuar “vëzhguesit e Fatmir Xhafajt” të zbulonin në komunikimin e lirë ndërmjet gazetarit Olldashit dhe kolegut të tij nga Al Jazeera. Në foton dhe videon më poshtë, të shkëputuar nga material policor, dallohet qartë se dy gazetarët, një shqiptar dhe një i huaj, po bisedojnë lirshëm me njëri-tjetrin.

Në foton e radhës, dëshmohet se si një tjetër gazetar ka rënë pre e vëzhgimit dhe përndjekjes së forcave operacionale. Personi në të majtë, i veshur me bluzë të zezë, është gazetari investigativ Isuf Kurtaj, i cili ka qenë pjesë e disa redaksive të rëndësishme mediatike në Tiranë.

Disa foto të tjera të dosjes hetimore tregojnë një automjet Citroen, i cili dukej e paqartë se përse gjendej në dosjen hetimore. “Boldnews.al” kreu verifikimet e targës së këtij automjeti dhe rezultoi që ai ishte në pronësi të një tjetër gazetari investigativ shqiptar, Leonard Bakillari.

Në kohën e realizimit të fotove të mjetit të Bakillarit nga ana e forcave operacionale policore, ai ishte përgjegjës i redaksisë së Aktualitetit në gazetën e përditshme ‘MAPO”.

Nga fotoja më poshtë kuptohet lehtësisht se Bakillari ka qenë në vëzhgim të vazhdueshëm nga forcat policore, pasi duket qartë që, si automjeti i gazetarit, ashtu edhe i “përgjuesve policorë”, janë në lëvizje.

E, natyrisht, gazetari Jetmir Olldashi ka albume të tëra me foto e video, të regjistruara nga forcat operacionale të Policisë së drejtuar nga Fatmir Xhafaj. “Boldnews.al” posedon disa foto, të cilat dëshmojnë nivelin skandaloz të grupeve të vëzhgimit.

“Vëzhguesit” kanë filmuar e fotografuar gazetarin Olldashi në përditshmërinë e tij me fëmijët, duke provuar se Fatmir Xhafaj dhe “levat” e tij nuk kanë asnjë lloj skrupulli njerëzor e profesional në funksion të mbrojtjes së narko-trafikut.

Por, në dosjen hetimore ka edhe foto të tjera, si kjo më poshtë, në të cilën dallohet gazetari Jetmir Olldashi dhe avokati i tij, në një bisedë të lirshme në rrugë. Fotoja është realizuar pranë zyrës avokatore, e cila, me shumë mundësi duhet të ketë qenë për një kohë të gjatë nën vëzhgim, survejim dhe përgjim nga “çunat” e Fatmir Xhafajt.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bold News


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *