Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e 7-të e opozitës, qytetarët nisen drejt Tiranës


Opozita do të protestojë sot sërish përpara Parlamentit, duke kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama.

Sot mbahet protesta e radhës e opozitës para Kuvendit. Në protestën e 7 radhazi në një qark kohor prej 40 ditësh, përfaqësuesit e opozitës do të rrethojnë që në orën 09:30 sallën e seancave plenare, ku deputetët e maxhorancës dhe përfaqësuesit e rinj të opozitës do të mblidhen për të diskutuar për projektligjet.

Anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në qytetin e Fierit janë nisur që në orët e para të mëngjesit drejt Tiranës.

Në një prononcim për “News 24”, kreu i PD-së së Fierit, Luan Baçi tha se protesta e radhës do të jetë para një parlamenti që nuk e njohim.

“Parlament fals, i mbushur me kriminelë dhe njerëz të papërgjegjshëm që mendojnë se përfaqësojnë popullin. Nuk do të lejojmë të zhvillohet një parlament i rregullt. Protesta do të kulmojë në 13 prill. Nga këto protesta popullore kryeministri Rama duhet t’i thërrasë mendjes pasi protestat janë qytetare.
Betimi i deputetëve të rinj është një lojë e mazhorancës së sotme që kërkon të krijojë një opozitë false”, deklaroi Baçi.

Kryedemokrati Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë dhe ish-përfaqësuesve të Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi që të gjithë të angazhoheshin për të sjellë sa më shumë protestues në shesh.

Opozita ka paralajmëruar protesta sa herë të ketë seancë plenare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe një qeveri tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.

Që nga 16 shkurti, deri më tani opozita ka organizuar 6 protesta para Kryeministrisë dhe parlamentit. E fundit ishte më 21 mars.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *