Opozita protestoi sot përpara Parlamentit për të shtatën herë që prej protestës së 16 shkurtit. Në protestën e dytë të zhvilluar më 21 shkurt, deputetët e opozitës së bashkuar me në krye Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin dogjën në bllok mandatet e tyre.
Të gjithë përveç tre prej tyre, Myslym Murrizi dhe Rudina Hajdari nga Partia Demokratike si dhe Lefter Koka nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Mandatet e lëna bosh, KQZ-ja po mundohet t’i plotësojë me kandidatët e radhës në listat e zgjedhjeve të qershorit të 2017-ës. Deri më tani, numri i kandidatëve që janë betuar si deputetë përpara Kuvendit ka shkuar në 15-të duke e çuar në 98 numrin e deputetëve në sallë.
Sot në Kuvend u betuan dy deputetë të rinj Adriatik Alimadhi dhe Arben Elezi. Pritej të bënte betimin edhe Amra Borova e LSI-së e cila e dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ, por ajo nuk u paraqit sot në Kuvend. Borova pritet të betohet në seancën e ardhshme plenare.
Ndërkohë sot edhe një tjetër kandidat në listat e PD-së ka pranuar mandatin e deputetit. Korab Lita ka dorëzuar sot pranë Komisiopnit Qëndror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit. Bashkë me Litën dhe Borovën, numri i deputetëve të opozitës shkon në 21 dhe Parlamenti bëhet me 100 anëtarë.
Deputetët që refuzuan lënien e mandatit:
Myslym Murrizi – PD
Rudina Hajdari – PD
Lefter Koka – LSI
Deputetët që janë betuar:
Nga Partia Demokratike
Ligoraq Karamelo
Alban Zeneli
Majlinda Halilaj
Arben Elezi
Adriatik Alimadhi
Lefter Maliqi
Nga Lëvizja Socialiste për Integrim
Enda Koçiraj
Nimet Musai
Ralf Gjoni
Ylli Shehi
Aurora Mara
Erdiola Braha
Edlira Hyseni
Enver Roshi
Edmond Rrushi
Elda Hoti
Deputetët që kanë pranuar mandatin:
Amra Borova- LSI
Korab Lita- PD/Hashtag.al