Në Kosovë ka ndodhur një dinamikë interesante, që përfshin ministrin në detyrë Gent Cakajn, për të cilin kryeministri Edi Rama dhe këshilltari i tij Baton Haxhiu luftuan fort që ta kishin pjesë të qeverisë në Shqipëri.
Përfshirja e Cakajt është familjare. Motra e tij, Gresa Caka Nimani, gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë është angazhuar së fundmi t’i vijë në ndihmë presidentit Hashim Thaçi. Ngjarja është sinjalizuar nga Arbër Zaimi.
Gresa Caka Nimani ka dështuar me sukses në angazhimin e saj, por vetë akti, zbulon detaje të rëndësishme që krijojnë një mozaik më të plotë të lidhjes Thaçi-Cakaj-Rama dhe të sprovave pa rezultat për krijimin mbase të precedentëve për marrëveshje të rëndësishme, si ajo me Serbinë për shembull.
Bëhet fjalë për raportimin dhe votimin pro nga motra e Gent Cakajt, për kërkesën e Thaçit, i cili i kërkonte Kushtetueses që t’i jepte kompetenca mbi Kuvendin për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare me Bashkimin Europian, edhe pse Kosova është republikë parlamentare.
Gresa Caka Nimani ka votuar pro marrjes në konsideratë të pyetjes së Thaçit, edhe pse të gjithë anëtarët e tjerë të Kushtetueses kanë qenë kundër.
Thaçi ka pyetur Gjykatën Kushtetuese a ka konflikt interesi nëse ai, si president bën marrëveshje ndërkombëtare pa e pyetur Kuvendin, pra, pa ratifikimin e ligjvënësit. Gjykata Kushtetuese vendosi ta hedhë poshtë marrjen në shqyrtim të kësaj pyetjeje, por ajo që bën përshtypje është zgjedhja e relatores, që qëlloi të jetë motra e ministrit Cakaj.
Gjyqtarja jo vetëm kishte përpiluar një raport ku mbronte idenë e Thaçit, por ajo votoi kundër papranueshmërisë së kërkesës, vendosur nga Kushtetuesja.(LEXO TË PLOTË Vendimin e Kushtetueses)
Kushtetuesja që funksionon në Kosovë, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri, i ka dhënë kështu fund me shpejtësi një ekstra kompetence që kërkonte të fitonte presidenti i republikës.
Thaçi kohët e fundit ka shprehur gatishmërinë e tij për të nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare me Serbinë për shkëmbimin e territoreve, gatishmëri e anatemuar nga drejtues të rëndësishëm institucionesh në Kosovë dhe opinioni publik.
Në ndihmë Thaçit, i cili e quan procesin “korigjim kufijsh”, i ka ardhur edhe kryeministri Edi Rama, që ka quajtur gomar çdo njeri që sulmon presidentin e Kosovës me termin “tradhëtar”.
Edita Tahiri që ka mbajtur pozitën e kryenegociatores në bisedimet Kosovë-Serbi, në një deklaratë tepër të fortë dhe të papritur ka thënë se është Edi Rama njeriu i parë që i ka propozuar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, skemën e shkëmbimit të territoreve./Hashtag.al