Ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e konsideron Shqipërinë si një vend tranzit për trafikimin e lëndëve narkotike, nga SHBA, Amerika e Jugut, Europë e në Lindjen e Mesme.
Alibeaj tha se e vetmja zgjidhje është largimi i kryeministrit Edi Rama, që e konsideron përgjegjës për fuqizimin e krimit të organizuar në vend.
“Shndërrimi i Shqipërisë në parajsën e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave është projekti politik me të cilin Edi Rama erdhi në pushtet dhe po e mban pushtetin.
Raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit skanon qartë gjendjen alarmante ku e ka futur vendin qeverisja kriminale e Edi Ramës. Raporti i DASH thekson se Shqipëria është një vend burim i kanabisit. Shqipëria është shndërruar në rritje në një vend tranziti për kokainën dhe heroinën që komandohet gjerësisht nga elementë të krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e burimit drejt tregjeve europiane.
Se droga e sekuestruar dhe arrestimet janë shtyrë gjerësisht nga bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe presioni në rritje ndërkombëtar.
Raporti thekson se evidentohet ndërtimi i laboratorëve të përpunimit të kokainës dhe të heroinës, në Shqipërinë Qendrore dhe atë Veriore.
Thekson se korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes kufizon efektivitetin e luftës ndaj drogës dhe se korrupsioni është i përhapur gjerësisht dhe ushqen një ambient në të cilin trafikantët e drogës kanë gjerësisht mundësinë të veprojnë pa u ndëshkuar.
Thekson se qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë një progres domethënës lidhur me parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare gjatë vitit 2018.
Shqipëria mbetet në rrezik të pastrimit të parave për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta qeverisëse dhe ligjore.
Thekson gjithashtu se Shqipëria evidentohet si bazë për veprimtarinë e organizatave kriminale që veprojnë në SHBA, në Europë, në Lindjen e Mesme dhe në Amerikën e Jugut.
Edi Rama dhe qeveria e tij kriminale ia arriti ta klasifikojë Shqipërinë si prodhues dhe eksportues të sasive domethënëse të marijuanës, kryesisht për përdorim europian dhe ta kthejë vendin tonë në një vend tranzit për heroinën dhe kokainën afgane, duke shërbyer si një portë kyçe për shpërndarjen e heroinës në Europë.
Në këtë mënyrë, narkoshteti i instaluar është realiteti i hidhur që iu ofrohet shqiptarëve. Që Shqipëria të mos shërbejë si bazë për veprimtarinë e organizatave kriminale rajonale siç thekson raporti i DASH, është e domosdoshme që të largohet përgjegjësi i kësaj situate.
Zgjidhja e vetme e mbetur është vetëm shembja e domosdoshme e këtij pushteti të kriminalizuar, si burimi kryesor i kësaj pasqyre fatkeqe ku e ka zhytur Shqipërinë sot Edi Rama.
Edi Rama është vetëm, me një grusht trafikantësh dhe oligarkësh që mbrojnë pushtetin e tyre kriminal.
Shqiptarët janë ngritur në këmbë për të mos lejuar Edi Ramën që mos ta shndërrojë edhe zyrtarisht Shqipërinë në një narkoshtet.
Shqiptarët e bashkuar do të fitojnë, Shqipëria nuk meriton të jetë portë kyçe për shpërndarjen e heroinës nëpër Europë. Shqipëria meriton të jetë gjithë Europa dhe ashtu do të jetë.”, tha Alibeaj.