Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme në Tiranë, ku u plagos me thikë futbollisti 21-vjeçar, Olsi Meraj, 21 vjeç.
Arrestohet 17-vjeçari i dyshuar për plagosjen e futbollistit 21-vjeçar Olsi Meraj. Policia ka njoftuar se ka vënë në pranga një të mitur me inicialet F.K, i cili ditën e djeshme së bashku me një grup të rinjsh i është afruar Olsi Merajt dhe shokut të tij Kevin Gegës kur ata kanë dalë nga stërvitja.
17-vjeçari dyshohet se është personi që ka goditur me thikë në fytyrë 21-vjeçarin, i cili u dërgua menjëherë në spital.
“Policia arreston autorin e ngjarjes së ndodhur mbasditen e djeshme ku në rrugën “Taulantët”, u plagos me mjet prerës një 21-vjeçar.
Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.3, arrestuan shtetasin:
K., 17 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas mbasditen e djeshme në rrugën “Taulantët” për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës shtetasin O. M., 21 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit F. K., për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 88 dhe 279 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin e policisë.