Ekspertët që po pastronin një imitim të supozuar të Botticellit kanë zbuluar në fakt se, vepra ishte krijuar në studion e vet mjeshtrit të Rilindjes.
Vepra mendohej se ishte një kopje e vonshme e “Madonna of the Pomegranate” (Zonja e shegëve), pikturuar nga Sandro Botticelli në vitin 1487.
Por, ekspertët e “English Heritage” ndryshuan mendje, pasi kishin hequr prej saj një shtresë të trashë llaku të verdhë nga piktura.
Teste të tjera treguan se ajo e kishte në fakt origjinën nga studioja e Botticellit në Firence. “English Heritage” thotë se është konsultuar me ekspertë të muzeut “Victoria and Albert” dhe Galerisë Kombëtare për të konfirmuar origjinën e pikturës.
Në stil, – thonë ekspertët, – vepra ishte shumë e ngjashme me origjinalin për të qenë një imitim, ishte e së njëjtës periudhë, teknikisht korrekte dhe e pikturuar në një material të zakonshëm të asaj kohe.
Piktura mendohej të ishte një kopje nga një artist i panjohur, për shkak se ndryshonte në detaje me origjinalin më të madh që është i ekspozuar në galerinë “Uffizi” në Firence. Edhe pse më e vogël se origjinalja, ajo sidoqoftë është shumë e detajuar, me një gjethe të artë në aureolën e Marisë dhe krahë engjëjsh pas saj.