Detaje të reja mësohen lidhur me eksekutimin e dy vëllezërve Bilali në Shkodër. Sipas policisë, njëri prej tyre, Astrit Bilali ka qenë i armatosur. Në momentin kur është qëlluar nga autorët ai ka nxjerrë një pistoletë që e mbante me vete dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të autorëve, por pa mundur t’i shënjestrojë ata.
Policia e Shkodrës ka shoqëruar në komisariat rreth 30 persona të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Megjithatë asnjë prej dëshmive të tyre nuk ka zbuluar ndonjë gjë me vlerë që mund të çonte drejt autorëve.
Vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali janë qëlluar dje me breshëri plumbash para banesës së tyre në lagjen Kiras të Shkodrës, pranë Zooteknikës. Atentatorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Astrit Bilali është babai i ish-boksierit të Vllaznisë, Asmer Bilali, që është i arrestuar para disa muajsh në Tiranë si pjesë e grupit Bajri.
Astrit Bilali ishte pronari i një resorti hipizmi në Shkodër, pranë të cilit para pak kohësh u ekzekutua teksa kalëronte, Arjan Ferracaku.
Ky i fundit ishte në shoqërinë e të birit të Astrit Bilalit, Asmerit, kur u qëllua me breshëri plumbash duke humbur jetën. Dyshohet se plumbat ishin nisur ndaj Asmer Bilalit, i cili aktualisht është në burg si pjesë e grupit Bajri.
Makina e autorëve të dyshuar të atentatit ndaj vëllezërve Bilali është gjetur e djegur në periferi të qytetit, disa kilometra më larg në zonëne Livadheve. Dyshohet se nga këtu ata kanë përdorur një tjetër mjet për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali janë qëlluar me breshëri plumbash para banesës së tyre në lagjen Kiras të Shkodrës, pranë Zooteknikës.