Vendosni fjalën kyçe....

Gjyshi i Asmer Bilalit ka një kërkesë për institucionet: Vini dorën në zemër


Policia i dha leje Asmer Bilalit, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij Astrit Bilalit dhe xhaxhait Ibrahim Bilali, të cilët u vranë një ditë më parë nga një breshëri plumbash. Por gjyshi i tij, Fahri Vejuka ka kërkuar nga shteti që ta lërë në shtëpi nipin e tij të paktën edhe për disa ditë, për të pritur njerëzit pas vrasjes së babait dhe xhaxhait pas nuk ka kush ti presë.

“Shpresojmë që shteti të gjejë autorët e vrasjes sepse është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur. Pothuajse është shuar një familje pas kësaj ngjarje dhe institucionet do të bëjnë detyrën e tyre për çfarë ka ndodhur. Asmer Bilali është djali i Astrit Bilalit dhe Asmeri është në burg prej disa muajsh. Ai do të jetë vetëm në varrim por ne kërkojmë që të lihet të paktën dy ditë tek banesa e tij për të pritur njerëzit sepse nuk ka askënd.
Vëllai i tij 23 vjeç është shumë i sëmurë dhe nuk është askush tjetër. Shpresojmë që institucionet të vendosin dorën në zemër dhe të na mirëkuptojnë në kërkesën tonë. I falënderojmë që e kanë lejuar të jetë në varrim por kërkojmë të qëndrojë pak më gjatë, të paktën dy ditë dhe normalisht me prezencën e policisë. Për të tjerat shteti të bëjë detyrën dhe nëse ka bërë diçka mund të dënohet por sot i kërkojmë ta lejojnë të paktën dy ditë që të qëndrojë sepse do dalin dy kufoma nga shtëpia jonë”, tha Fahri Vejuka.

Vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali janë qëlluar dje me breshëri plumbash para banesës së tyre në lagjen Kiras të Shkodrës, pranë Zooteknikës.   Atentatorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Astrit Bilali është babai i ish-boksierit të Vllaznisë, Asmer Bilali, që është i arrestuar para disa muajsh në Tiranë si pjesë e grupit Bajri.

Astrit Bilali ishte pronari i një resorti hipizmi në Shkodër, pranë të cilit para pak kohësh u ekzekutua teksa kalëronte, Arjan Ferracaku.

Ky i fundit ishte në shoqërinë e të birit të Astrit Bilalit, Asmerit, kur u qëllua me breshëri plumbash duke humbur jetën. Dyshohet se plumbat ishin nisur pikërisht ndaj Asmer Bilalit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *