Theresa May dhe kabineti i saj janë duke kërkuar për alternative dhe mënyra se si ta sjellin përsëri në parlament marrëveshjen e daljes nga BE-ja, për herë të katërt.
Kryeministrja britanike tha se Britania e Madhe ka nevojë për “një alternativë për të vazhduar përpara” pasi që marrëveshja për daljen nga BE-ja nuk u ratifikua nga parlamenti për të tretën herë.
Deputetët nga të gjitha partitë thanë që do ta testojnë mbështetjen e opsioneve tjera gjatë seancave të javës tjetër.
Gjithsesi, kryetari i partisë konservatore, Brandon Lewis, tha që qeveria nuk e mbështet asnjë opsion tjetër përveç marrëveshjes.
Udhëheqësi i partisë laburiste, Jeremy Corbyn, refuzoi të tregonte nëse partia e tij do të ofronte ndonjë zgjidhje për të qëndruar në BE, por tha që kërkon të ketë “marrëdhënie të mirë ekonomike me Evropën.”
Votimi që u mbajt dje në parlament, dështoi për të tretën herë të ratifikonte marrëveshjen për dalje nga BE-ja.
Në votimin e parë, marrëveshja kishte dështuar për 230 vota, ndërsa votimi i dytë dështoi për 149 vota.
Qeveria gjithashtu dështoi edhe për herë të tretë, por këtë herë duke humbur për 34 vota, ku shumë anëtarë të partisë konservatore, ndërruan mendje dhe e mbështetën, por nuk ishte mbështetje e mjaftueshme.
Partia e Irlandës Veriore, e cila gjithashtu është pjesë e qeverisë, vazhdimisht ka kundërshtuar marrëveshjen, duke pretenduar se nuk janë të kënaqur se si kjo marrëveshje e rregullon çështjen e kufirit me Irlandën.
Por një burim i BBC, brenda qeverisë tha se kryeministrja do të vazhdojë që të kërkojë mbështetje në parlament për herë të katërt, duke insistuar se gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur.