Piloti i ri i Ferrarit fitoi “pole position”-in e tij të parë në karrierë në pistën e Bahreinit, teksa e përshkoi atë me një kohë rekord: 1 minutë, 27 sekonda e 866 të mijëtat, duke bërë që në Maranello të shpërthejë festa dhe t’i gëzohen një piloti vërtet premtues.
Te Ferrari u paraqit mjaft mirë edhe Sebastian Vettel, i cili u rendit në vendin e dytë, me rreth 3 të dhjetat më shumë se Leclerc, duke bërë që “Kokëkuqja” italiane të konfirmojë formën e shkëlqyer të shfaqur edhe gjatë provave të lira.
Menjëherë pas makinave Ferrari, në vendin e tretë u pozicionua Lewis Hamilton me Mercedes, i ndjekur nga Valtteri Bottas në vendin e katërt, duke lënë pas Max Verstappen.
Ata që zhgënjyen në këto prova ishin Ricciardo e Gasly, që u eliminuan që në minisesionin e dytë, ndërkohë që vazhdon të ketë probleme Williams, e renditur në vendet e fundit me Rusell e Kubica.