Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ishte sot në një takim organizativ me strukturat e kësaj force politike në Tepelenë. Në këtë takim, ku Kryemadhi shoqërohej nga ish-deputeti Vangjel Tavo, u zgjodh dhe kryetari i degës së LSI-së në Tepelenë.
Kryetar i ri u zgjodh ekonomisti Sefer Kanushi.
Kryemadhi në këtë takim foli për zgjedhje të parakohshme ndërsa u kërkoi strukturave të ndezin motorët e fushatës.
“Ditën e sotme së bashku me Vangjel Tavon, zhvilluam një takim organizativ me strukturat e LSI-së në Tepelenë.
Në këtë takim u zgjodh Kryetari i LSI-së në Tepelenë, ekonomisti Sefer Kanushi.
Tashmë që zgjedhjet e parakohshme janë shumë pranë, duhet të ndezim motorët e fushatës.
LSI forcën reale e ka te njerëzit dhe jo te emrat e përveçëm.
Gjendja ekonomike e vendit është e mjerë, pasi taksat rriten, të ardhurat për familjen shqiptare ulen dhe papunësia është rritur për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit qeveritar.
Rinia duhet të gjenerojë energji në Shqipëri, jo të marrë rrugët e emigrimit. Fermerët dhe blegtorët janë në qendër të programit të LSI.
LSI është parti e fjalës së mbajtur.
Duhet të punojmë që shqiptarët të bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre. “, tha Kryemadhi pas takimit.