Dy persona janë vënë në pranga, pas dyshimeve se janë ata që i kanë vënë zjarrin një mobilerie në Nikël të Krujës ditën e djeshme.
26 vjeçari me inicialet A. M. dhe 58 vjeçari N. M., të dy banues në Tapizë, besohet se i kanë vënë zjarrin në orën 02:50 të 1 prillit, mobilerisë së bashkëfshatarit të tyre, 55-vjeçarit me inicialet B.D.
Në banesën e njërit prej të arrestuarve, atij me inicialet N.M, policia ka gjetur edhe një armë pa leje.
“Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, ku në Nikel të Krujës, u përfshi nga flaket një mobilieri.
Falë reagimit profesional dhe në kohë të shërbimeve të Policisë së Krujës, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 26 vjeç dhe N. M., 58 vjeç, banues në Tapizë, Krujë.
Arrestimi i tyre u bë pasi, për motive të dobëta në bashkëpunim me njëri tjetrin, në orën 02:50, të datës 1 prill në Tapizë, i kanë vënë zjarrin mobilierisë në pronësi të shtetasit B. D.,55 vjeç, banues në Tapizë.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit të arrestuar N. M., është gjetur një armë zjarri “pushkë”, model 56, pa lejen përkatëse, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar në nenet 151/2, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin e policisë.