Vendosni fjalën kyçe....

Në tetë muaj, 4361 biznese i shtohen listës së borxhlinjve të këqij në tatime


Klima e biznesit në vend sidomos për sektorin e tregtisë nuk është duke shkuar mirë, teksa listës së borxhlinjve të këqij në tatime i janë shtuar edhe 4361 biznese vetëm në tetë muaj.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nga qershori 2018 deri në fund të shkurtit 2019 lista e zezë e bizneseve borxhlinjve u zgjerua me 17%, duke arritur në rreth 24.5 mijë.                                                                                                                                                                                                          

Qarqet më numrin më të madh të borxhlinjve rishtarë ishin Vlora dhe Tirana.

Lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, përfaqëson bizneset ndaj të cilave Administrata Tatimore, në zbatim të nenit 91 të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

Sipas tatimeve Lista është publike me qëllimin që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

Sa herë që administrata tatimore konstaton se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, administrata tatimore i dërgon, me postë rekomande, një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor. Për njoftimin dhe kërkesën për të paguar, zbatohen afatet dhe procedurat e parashikuara në Ligjin e Procedurës Tatimore.

Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, nëpërmjet një urdhri me shkrim, të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve, i kërkon çdo banke, ku tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të bllokojë shumat për llogari të tatimeve.

Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, gjendja e detyrimeve të papaguara, të cilat ndiqen deri më 31 dhjetor 2017, rezulton 95.5 mld lekë ose 35% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Në stokun e borxhit të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe me 36%, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 28%, zëri Të Tjera me 22%, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 12% dhe TAP me 2%.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *