Vendosni fjalën kyçe....

Rama në ekran – Sulm e batuta ndaj opozitës duke kërkuar votat për bashkitë


Kryeministri Rama ka sulmuar opozitën e bashkuar në takimin e sotëm me qytetarët e Librazhdit ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, kryebashkiakun aktual, Kastriot Gurra.

Kreu i qeverisë tha se është e pavërtetë se zgjedhjet e vitit 2017 janë blerë, duke shtuar se fitorja e socialistëve ishte me meritë. Ai i cilësoi protestuesit si persona që bëjnë turizëm politik me krerët e opozitës.

“Pretendimi absurd se atyre ju vidhen votat. Ju merret fitorja e merituar nga duart me forcën e parasë, krimit, drogës. Ne i kemi mundur ata kur kishin Saliun kur kishin edhe shteti, turma shpërthen në duartrokitje. Ka ndonjë që beson se është më e lehtë të mundësh Saliun me gjithë shtetin sesa Lulin me fallxhoren që mban në krahë. Isha në Durrës një ditë para se të shkonte me turistët nga Vora, Kamza, Mallakastra, Shkodra, që mbyllin dyqanet dhe nisen për turizëm politik pas Lulit.” – tha Rama.

Më tej ai mori në mbrojtje kreun e bashkisë së Durrësit, Dako,  duke thënë se ai e kishte mundur qeverinë e Sali Berishës në zgjedhjet për kryebashkiak ndërsa shtoi se në zgjedhjet e qershorit PS-ja do i fitonte edhe bashkitë ku deri tani kishin humbur.

“Në Durrës, Dako që i janë qepur për ta kthyer në shënjestër duke e treguar si njeriun e lidhur me krimin, mundi Saliun, shtetin me gjithë hordhinë e tyre. Në 30 qershor do i mundim edhe në Kukës. Sepse nuk ka asnjë demokrat të arsyeshëm që të thotë se sot PD-ja është më e fortë. Zgjedhjet e 2017-ës i humbën duke qenë në qeveri. Duke pasur ministritë më të rëndësishme. Ne i kemi mundur më parë dhe do i mundim sërish.” – theksoi Rama.

Rama shtoi se opozita do shkrihej me vendimin e marrë për djegien e mandateve.

“Këtë që bënë ata e ka bërë vetëm një parti në Itali në vitet ’20 dhe u shkri. Ashtu so shkrihen edhe këta sepse zgjodhën të tradhëtojnë popullin e tyre, që i votoi. U futën mes turmës dhe u thonë qytetarëve jemi si ju. Digjni, shkatërroni e shkoni në burg ju se kështu ndoshta do marrim pushtetin. Jo more. Noc Rrokun do marrësh o Lul, jo pushtetin. Se kush do marri Nocin, se kush do marri Rrokun, ndajeni me Monikën pastaj.” – shtoi Rama.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *