Ish-ministri i Jashtëm, Bushati, ka kërkuar dialog për gjetjen e një zgjidhjeje mes palëve për situatën e fundit politike në vend, të cilën e cilësoi si të paprecedentë.
Bushati në fjalën e tij në parlament theksoi se 10 vite pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimitt, vendi ka ngelur në vendnumëro dhe kjo është e pafalshme.
“Sot jemi për herë të parë në një situatë të paprecedentë, jo vetëm për demokracitë e reja në Ballkan por edhe për vende despotike si Venezuela. Kemi PD dhe LSI që kanë djegur mandatet dhe kanë dalë në rrugë. Është e vërtetë se boja, mielli e vezët kanë dalë sot në rrugë dhe janë kthyer në një përballje gabimisht me policinë.
Opozita ka dëshmuar frikë dhe kapitullim me daljen në rrugë, por kjo nuk duhet të na bëjë të jemi arrogantë. Nuk fillon 10-vjeçari i Shqipërisë në NATO me brezin tim politik. Pse 10 vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ne nuk kemi hedhur hapin vendimtar përpara. Pse 13 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes ne jemmi këtu ku jemi.” – tha Bushati.
Më tej ai kërkoi gjetjen e gjuhës së përbashkët dhe përparimin e vendit që nuk mund të jetë më peng i së shkuarër por duhet të shohë përpara.
“E dini me çfarë hapej faqja e parë e Financial Times. Me një selfie mes kryeministrave Zaev e Tsipras pas arritjes së marrëveshjes mes dy vendeve pas 3 dekadash. Atëherë unë pyes, ju zoti Ruçi, si politikan me përvojë, zotin Ulqini, zotin Majko por edhe kolegen që sapo foli për herë të parë.
Pse nuk e gjejmë dot gjuhën e përbashkët. A nuk jemi të gjithë shqiptarë. Pse s’e gjejmë dot gjuhën për të parë përpara. Si do ia shpjegojmë një 30-vjeçari që ka lindur në vitet ‘89-‘90. Pse jemi më prapa krahasuar me fqinjët. Ishte faji i komunizmit. Ishte faji i Enverit. 30 vjet nuk e justifikojnë dot votën dhe besimin që na kanë dhënë shqiptarët. Prandaj është momenti i fundit që ne të shohim për nga e ardhmja dhe të mos bëhemi nostalgjik të së shkuarës.” – mbylli Bushati.