Në protestën e sotme të opozitës, një grup të rinjsh janë paraqitur me uniforma. Bluza të zeza mbi të cilat shkruhet: “Liri, Demokraci, Shpresë”.
Po ashtu, disa prej tyre kanë në duar pranga, të cilat i përdorin si simbolikën kryesore të protestës së sotme.
Kryetari i Forumit Rinor të PD Belind Këlliçi, është personi që ka mbajtur i pari një fjalim në protestën e qytetarëve përpara parlamentit. Këlliçi ka shprehur dhimbjen e tij për ata të rinj, që nuk thirren në takime për axhenda kombëtare, por thirren për një vend pune në takimet elektorale të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Sipas tij, arsyeja se pse qytetarët duhet të ishin sot në protestë dhe veçanërisht të rinjtë, është për shkak të pyetjeve që brezi i ri do t’ua bëjë në të ardhmen: “Ku ishe ti, kur Edi Rama përzuri mijëra të rinj nga Shqipëria? Ku ishe ti kur Edi Rama shkatërroi ekonominë kombëtare?! Ku ishe ti kur e ardhmja jote u mor peng?! Ndaj ne jemi krenar që jemi sot këtu për një kauzë të drejtë që do të shpëtojë njëherrë e mirë Shqipëria”.
Kryedemokrati Lulzim Basha ia ka lënë si detyrë drejtimin e protestës, pikërisht Forumit Rinor të PD-së të cilët kanë organizuar dhe pankartat dhe simbolikat e tjera të përdorura në protestë.