Në bashkëbisedimin e tij me studentët, Basha, tha se PD-ja do demokratizohet dhe nuk do ketë asnjë mundësi për personat me rekorde kriminale që të jenë pjesë e saj dhe të garojnë për të.
Ai tha se ka ikur koha që gjithçka të jetë në dorën e një njeriu të vetëm dhe kjo ka nisur dhe do vijojë të ndryshojë në PD.
“Sistemi që ne do të adoptojmë është një sistem që e hap PD-në, e hap ndaj çdokujt që ndan vlerat tona, vizionin tonë për shoqërinë, për lirinë e individit, mundësitë, konkurencës dhe ju jep mundësinë përmes garës të kontribuojnë nëqoftëse duan të marrin përgjegjësi publike.
Nëse brenda partive politike, gjithë vendimarrja është në dorën e një njeriu, në rastin konkret të kryetarit të partisë që bën listën e kandidatëve për deputetë, ashtu do të jetë nesër dhe shteti, në dorën e një njeriu.” – tha Basha.
Më tej kryedemokrati deklaroi se PD-ja do jetë e hapur për të gjithë ata persona që duan të përfaqësojnë shqiptarët. Ata do kenë mundësinë të garojnë dhe mundësia për të gjithë do jetë e hapur.
“Do të mundësojmë se çdokush që ka interes të përfaqësojë politikisht qytetarët, komunitetin, në çdo lloj niveli, të kenë mundësinë të garojnë. Natyrisht do ta bëjmë këtë duke i pamundësuar garimin njerëzve me rekorde kriminale, apo njerëzve që vijnë aty me para për të shyumfishuar paratë e tyre, jo për ti shërbyer qytetarëve apo njerëzve që nuk ndajnë vlerat tona.
Do të jetë merita ajo që do të përcaktojë se kush do të jetë që do të përfitojë përmes votës së lirë dhe përmes një vleresimi transparent, mundësinë për të përfaqësuar nesër PD-në në një Parlament të çliruar nga krimi dhe me një qeverisje të çliruar nga krimi dhe kriminelët.” – mbylli Basha.