Ministri kosovar i Mjedisit, Fatmir Matoshi ka sqaruar incidentin që ndodhet sot mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në samitin për “Klimën në Ballkanin Perëndimor’.
Matoshi tha se pala serbe dhe OKB-ja nuk e kanë pranuar Kosovën në tryezë me të drejta të plota, megjithatë sipas tij protokolli i diktuar OKB lejonte përfaqësimin e Kosovës me siglën e UNMIK-ut.
Sipas ministrit të Kosovës, kur flitet për samit klime në Ballkanin Perëndimor, nuk ka kuptim që Kosova të përjashtohet.
“Ajo që ka ndodhur sot ka të bëjë me rregulla strikte të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara, që Kosova të jetë e përfaqësuar nga sigla e UNMIK-ut, gjë e cila për Kosovën është e papranueshme dhe nuk do të ndodhë më.
Megjithatë ne e kemi shfrytëzuar këtë takim që të kërkojmë mbështetje nga donatorët e fuqishëm. Ne do të vijojmë që në mënyrë bilaterale me donatorët të bisedojmë dhe të paraqesim projekte konkrete për mjedisin”, tha Matoshi.
“Nuk kam biseduar me palën serbe. Jemi këtu që dje dhe jemi prit shumë mirë. Ka qenë takim ministrash dhe darkë e përbashkët dhe kemi biseduar se problemet duhet të zgjidhen së bashku. Në rast se flasim për Ballkanin, aty duhet të jetë edhe Kosova.”, vijoi më tej ai.