Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Albana Boksi është konfirmuar në detyrë. Vendimi është dhënë më herët në mëngjes, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Trupa gjyqësore që kreu hetimin administrativ përbëhej nga komisioneret Pamela Qirko, Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli.
Firdes Shuli e cila është relatore e çështjes, u shpreh se komisioni e ka rivlerësuar gjyqtaren Boksi në të tri komponentët; për deklarimin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin. Por për asnjërin prej tre kritereve nuk ka evidentuar probleme që të mund të rëndojnë pozitën e gjyqtares Boksi.
Sipas Shulit, gjyqtarja Boksi ka qenë tërësisht bashkëpunuese gjatë gjithë procesit të verifikimit, gjë që do të konsiderohej gjatë marrjes së vendimit. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka raportuar pranë komisionit se gjyqtarja Albana Boksi ka kryer deklarim të saktë, ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive që zotëron, nuk ka kryer deklarim të rremë apo fshehje të pasurisë dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.
Albana Boksi e ka filluar karrierën në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit. Me datë 1 mars 2006, ajo është emëruar gjyqtarë në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda në Tiranë.