Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ishte në Dibër ku vizitoi fshatin Radomir në Kalanë e Dodës, fermën blegtorale të ekonomistit Afrim Murja si dhe një plantacion mollësh në Maqellarë.
Kryemadhi u njoh nga afër me problemet e mëdha që po hasin sot fermerët dhe blegtorët në Dibër për shkak të mungesës së mbështetjes me subvencionet, por ajo u njoh nga afër dhe me problemet sociale siç është edhe braktisja e fshatit në masë nga ana e të rinjve për shkak të varfërisë dhe mungesës së shpresës.
Pasi vizitioi fermën blegtorale të Afrim Murjas, Kryetarja e LSI-se Kryemadhi tha se blegtoria dhe bujqësia është në gjendje të mjerueshme për shkak të uljes se subvencioneve. Kryemadhi tha se angazhimi i LSI-se është për tu krijuar mundësi, duke subvencionuar blegtorët e rinj dhe fermerët e rinj për të rimëkëmbur bujqësinë.
“Blegtoria shqiptare vajton. Është ulur 7 herë më shumë subvencioni për ta. Jo vetëm për ta por për të gjithë bujqësinë shqiptare. Problemi qëndron që shteti nuk i shikon më blegtorët dhe fermerët shqiptarë si partnerë po i shikon si armiq. Pak më përpara një stallë që e ndërtonin për gjënë e gjallë, shteti vinte për t’ua shkatërruar jo për ti ndihmuar. Situata është shumë e mjerë në ekonominë shqiptare por akoma më shumë bujqësia. Ne mund të krijojmë një mundësi duke i subvencionuar blegtorët e rinj, fermerët e rinj, duke i ndihmuar që të rimëkëmbin bujqësinë. Duke rimëkëmbur bujqësinë, do të rimëkëmbim agropërpunimin e tyre. Duke rimëkëmbur bujqësinë, do të rimëkëmbim bujqësinë shqiptare. Duke filluar me fermerë të vegjël, me blegtorë të vegjël dhe më pas duke zhvilluar më tej për të ndërtuar fabrikat e përpunimit. Mos të harrojmë që bujqësia është baza e ekonomisë shqiptare”– tha Kryetarja e LSI-së.