Konflikti mes Bashkisë së Tiranës dhe Universitetit Bujqësor, ka kaluar në një përplasje para kamerave mes pedagogut Lush Susaj dhe nënkryetarit të bashkisë Arbër Mazniku.
Ndërsa Mazniku po fliste para kamerave për projektin e bashkisë për ndërtimin e një shkolle 9-vjecare në truallin e fidanishtes, ka ndërhyrë pedagogu i vreshtarisë Lush Susaj. “Zoti Mazniku, jeni keqinformuar zoti Mazniku.”, ndërhyri Susaj.
Ai e akuzon Maznikun se po shkatërron universitetin.
“70 breza kemi qenë këtu. Nuk ka qenë fidanishte por vreshtë didaktike. Jam vetë pronar tokash, që ma ka zënë HEC dhe nuk pretendoj kurrë me shkull hidrocentralin. Kam qenë student e e jam pedagog në këtë universitet. Kjo është qendër didaktike, bënim praktika e teori. Ja ku keni vend për të ndërtuar 10 shkolla sipër veterinarisë. Ju po prekni dhe keni shkatërruar universitetin dhe unë nuk flas për interesat e mia. Unë mbroj interesin e studentëve, të kishit ardh për bisedime me ne. Ne kemi duartrokitur masterplanin e kryeministrit. Ju kam votuar, ma thaftë Zoti dorën! Po të dëgjoj për respekt si nënkryetar bashkie, ndryshe s’ të dëgjoj asnjë sekond“, tha pedagogu.
Por pavarësisht kundërshtimeve të pedagogëve dhe studentëve, Mazniku është shprehur i vendosur në ndërtimin e shkollës 9-vjecare në zonën e projektuar.