Studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor janë ngritur sërish në protestë kundër prishjes së vreshtit didaktik, ku po ndërtohet një shkollë nga Bashkia e Tiranës.
Në një prononcim për “FaxNews”, pedagogu Lush Susaj tha se toka për të cilën po protestohet ka shërbyer prej më shumë se 40 vitesh si vresht didaktik i Universitetit Bujqësor.
Susaj shprehu rezervat e tij për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, që po kërkon të ndërtojë shkollën në tokën e universitetit.
“Së pari nuk është paralajmëruar nga bashkia e Tiranës. Bashkia nuk ka lajmëruar askënd. Në një ditë të bukur në mëngjes, janë gjend policisë kanë rrethuar vendin pa pyetur askënd.
Së dyti unë kam qenë student në vitin 1982-1986.
40 vjet kjo tokë ka qenë vreshtë didaktike. Mësimi zhvillohej në katin e dytë të kësaj godine, 30 metra në vijë ajrore zhvilloheshin praktikat.
Përsëri ka qenë në projekt në planin e përgjithshëm të kampusit universitar i miratuar nga kryeministri Edi Rama para një viti, ka qenë dhe është projekt për vreshtë didaktike.
Pra nuk është fidanishte siç thonë limonat e shtrydhur të politikës. Këtu ka qenë vreshtë didaktike, është laborator i UBT-së. Dakord që është pronë private. Askush nuk është kundër pronës private apo mungesës së kompensimit të pronës proivate apo shkollës.
Kryetari i bashkisë na fyen, thotë turp turp. Çfarë turpi të kemi?! Unë po protestoj se është prekur vreshti didaktik. Studentët po protestojnë se është prekur vreshti didaktik, territori. Janë mijëra studentë dhe intelektualë që kanë përfunduar këtu dhe kanë bërë praktikat mësimore këtu.
Çfarë po protestojmë?! Ne s’jemi kundër ndërtimit të shkollës. Por ta ndërtojnë shkollën pak më tutje. Përsëri është tokë e universitetit ajo pjesa sipër e të ndërtojnë shkollë, ka 4 hektarë sipërfaqe. Mund të ndërtohen 5 shkolla atje. Po pse i bien këtu mu në zemër të universitetit?!”, tha pedagogu i cili shtoi se “Pa vresht didaktik nuk ka universitet bujqësor.”