Drejtori i Zërit të Amerikës për Eurazinë, Elez Biberaj, e ka kritikuar ashpër kryeministrin Rama.
Biberaj ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, është një qeveritar autoritar, i korruptuar, arrogant dhe qeverisja e tij është shoqëruar nga korrupsioni i thellë dhe abuzimi.
Ai i bëri deklaratat në fjalën e tij në ceremoninë e 110 vjetorit të revistës “Dielli”.
“Pas fitores me një shumicë dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2017, Kryeministri Edi Rama qeveris i pasfiduar. Por sundimi i tij është dëmtuar nga qeverisja e dobët, korrupsioni i përhapur thellë, keqadministrimi ekonomik, dhe stili i tij i udhëheqjes ka krijuar shumë kundërshtarë. Siç ka ndodhur edhe me disa udhëheqës të tjerë europiano-lindorë,
Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent. Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën.
Rama ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet te kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë.
Marrëdhëniet klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve të njohur kanë deformuar procesin vendimmarrës të qeverisë, duke shkelur rregullat bazë të lojës, duke prishur konkurrencën në treg dhe duke u hequr qytetarëvetë zakonshëm çdo mjet përmes së cilit ata do të mund të ndikonin në sjelljen e ndryshimeve”, është shprehur Biberaj.
Elez Biberaj ka komentuar edhe situatën e shtypit në Shqipëri, që me ardhjen e Ramës në pushtet është bërë më pak i lirë dhe më pak i pavarur. Ai kritikon kryeministrin për sulmet ndaj gazetarëve dhe për mos dënimin e skandaleve qeveritare që janë publikuar nga mediat.
“Shtypi është bërë më pak i lirë dhe i pavarur. Kryeministri ka sfiduar në mënyrë të vazhdueshme vetë parimin e një shtypi të pavarur, duke krijuar median e tij televizive në internet, ERTV. Ai i ka goditur në mënyrë të vazhdueshme mediat, duke përdorur një retorikë gjithnjë e më agresive dhe kërcënuese dhe duke i karakterizuar ato si “kazan.”
Sulmet e tij të fundit ndaj Zërit të Amerikës pas transmetimit të një raporti mbi bashkëpuniminmes zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe grupeve të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, ishin jashtëzakonisht befasuese në ashpërsinë e tyre.
Shumë gazetarë, të pambrojtur ndaj trysnisë politike dhe ekonomike, praktikojnë auto-censurën dhe shmangin mbulimin e temave tabu.
Është shqetësuese që në vitin 2019, shqiptarët duhet të mbështeten te mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme.
Rama ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.
Pa as më të voglin shqetësim, ai u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave”, ka deklaruar Biberaj.