Nga Sonila Meço
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar gjatë auditimeve të zhvilluara vitin e kaluar, nga janari në dhjetor 2018, se dëmet në financat e shtetit kanë arritur në 1,7 miliard euro. Përfshirë këtu detyrime të prapambetura të shtuara dhe një vëzhgim mbi borxhin publik, që rezulton shumë më i lartë se ai që deklarohet zyrtarisht.
Mund të jemi peng i shumë perceptimeve, mund të jemi të palëkundur në bindje, por të jemi kaq indiferentë karshi abuzimeve të tilla si shoqëri, këtu nuk na e ka fajin vetëm politika e drejtësia. Këtu kemi një problem serioz me veten. Në këtë vend pushtetet abuzojnë, nuk japin llogari, nuk ndëshkohen e ndërsa na orientojnë drejt debatit të ethshëm politik, kanë mbaruar punë me miliardat që na marrin nga taksat tona. Strategji xhepistash, ndërsa të tërheqin vëmendjen me një veprim periferik, kanë mbaruar punë me kuletën a astarin e xhepave.
Do merren shqiptarët me këtë shifër? Me këtë abuzim sy për sy, që e “bërtet” një institucion i pavarur që quhet Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar? Pa llogaritur këtu skandalet dhe aferat e projekteve të partneritetit publik-privat. Fakti se ky abuzim është bërë traditë, sepse ikin e vijnë pushtetet dhe dëmet shtohen çdo herë, ka krijuar një imunitet absurd mbi milionat e miliardat e çuara dëm në vendin më të varfër në Europë, sa nuk justifikohet asnjë bindje politike sa kohë nuk na bëjnë dritë sytë për shpërdorimin nga pushtetet të mundit e punës sonë.
Edhe një herë: këto janë para të çuara dëm e të ardhura të paarkëtuara. Taksa tonat të shpërdoruara, investime të munguara për shërbime që i paguajmë.
Zgjedhjet, sistemi, reformat, por njerëzit në zyra shteti e pushteti ndërkohë po bëjnë kërdinë me xhepat tanë. Derisa të nisë e të japë efekte reforma në drejtësi, SPAK-u, BKH-ja, sistemi i ri zgjedhor, zgjedhjet e reja…derisa, derisa…