Sidoqoftë, kumti i kryeministrit në këtë skenë ka edhe më shumë se kaq: ai me siguri është prelud i synimit për të kapur edhe postin e rektorit të ri në zgjedhjet e ardhshme.”, përfundon ish-rektori.
Ish-deputeti i LSI-së, i cili ka qenë edhe rektor i Universitetit të Tiranës, në një koment të tijin thotë se kryeministri Edi Rama kërkon të kapë universitetin.
“Nëse gjatë ditëve të protestës kryeministri u rrek për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për t’i kundërvënë studentët me profesorët, këtë radhë, me studentët e ekonomikut, ai bëri një hap tjetër për ta kapur universitetin.”, mendon Rrokaj, i cili i referohet një takimi të Ramës në Fakultetin e Ekonomisë.
Sipas Rrokajt, pas goditjes që u bëri universitetetve me Ligjin e Arsimit të Lartë dhe VKM-të e dhjetorit kryeministrit nuk i del inati i protestave dhe vazhdon të mbajë përgjegjës për to stafin akademik dhe drejtuesit për gjendjen ku është arsimi i lartë.
“Në fakt universitetet kanë përgjegjësitë e tyre, të cilat studentët i artikuluan thjesht dhe qartë, por është e papranueshme retorika e tij arrogante për t’ua hedhur pjesën e madhe të “mëkatit” IAL-ve. Kjo edhe sepse tani ai është në gjysmën e mandatit të dytë dhe asgjë nuk e shfajëson nga përgjegjësia për të ndëshkuar këdo që ka shkelur ligjin, edhe për problematikën e brendshme të universitetit.
Mirëpo arroganca e tij prej autokrati dhe goditja me skeptrin e pushtetit (mbreti i vërtetë) ndaj universiteteve është në thelb shenjë e një mungese vizioni për bashkëpunim me to për krijimin e një sinergjie dhe partneriteti në dobi të vendit.
Dhe kjo nuk është hera e parë kur ai, me gjithfarëlloj epitetesh si: ‘sharlatanë, bisht i fundit i kavallit apo edhe agjensi funeralesh’, shkelmon botën e dijes, porse këtë radhë ai u bëri thirrje publike studentëve të ngrihen në protestë kundër rektorit, duke dalë përtej funksioneve të veta si dhe duke cënuar autonominë universitare.”, thekson Rrokaj.
Rrokaj siguron lexuesit se arsyeja e këtij shkrimi nuk është të marrë në mbrojtje emrin e përveçëm Mynyr Koni i cili, sipas tij, duhet të kishte pasur më shumë kurajë publike, si i zgjedhur prej profesorëve dhe studentëve, për të mos lejuar ‘baltosjen’ qeveritare ndaj universitetit.
“Por figura e rektorit të universitetit më të madh në vend është dhe duhet të jetë e respektueshme nga shteti, gjë nuk përbën rast për kryeministrin. Ai bëhet palë me ‘kundërshtarë’ brenda llojit, mjafton që e keqja të zhvendoset prej tij diku, brenda universitetit. Shfrytëzon koniunkturat e brendshme të ‘sherreve të vogla”, organizon takime të sajuara me skenarë të njohur, si e si ta heqë barrën nga qeveria duke bërë pakte të rëndomta, dhe duke u bërë thirrje studentëve kundër rektorit. Nëse studentët dhe pedagogët kanë probleme me rektorin ata janë aq të dijshëm saqë të mos kenë nevojë për sfinafutës të llojit të ulët.”, thotë më tej Rrokaj.
Sipas tij, në vend që Rama të merret me inskenime të tilla të padobishme për askënd, kryeministri duhet të japë shpjegime se përse nuk e bën 5% të PBB-së buxhetin për arsimin, siç ka premtuar në Strategjinë e Arsimit në vitin 2014, sikundër e kanë vendet e tjera dhe ku IAL-të të kenë 2% në vend të 0,5%?
“Përse nuk e rishikon Ligjin e Arsimit të Lartë, sikundër e kanë kërkuar studentët dhe pedadogët? Përse nuk përgjysmohet tarifa për Masterin si për Bachelorin, megjithëse edhe aty një pjesë nuk do ta ketë këtë të drejtë? Çfarë përgjegjësie kanë IAL-të për librarinë online, kur në dijeninë time të sigurtë, vetë ministria i ndalonte me pretendimin se do ta jepte ajo këtë shërbim? Lidhur me plagjiaturat, qeveria nuk subvencionoi për aparaturat e nevojshme për ‘diagnostikimin’e tyre dhe se nuk janë bërë ndryshimet ligjore për ndëshkimin e ‘kopjacëve’. Kështu ligji parashikon vetëm rastin kur padia bëhet prej personit të cilit i është ‘vjedhur’ e drejta e autorit, që do të thotë se institucionet duhet të ‘presin’ derisa të provohet me gjykatë plagjiatura, pastaj të veprojnë. Ku është Pakti për Universitetin për të drejtat që rrjedhin nga Karta e Studentit? A e di z. kryeministër se deri sot qeveria nuk u ka dërguar universiteteve pjesën e humbur të financave nga përgjysmimi i tarifës me të cilën ato kryejnë shpenzime operative dhe pagesa të tjera si orët e mësimit etj.? Po për këto çështje përse nuk bëzan?”, pyet Rrokaj.
“Më në fund nuk mund të mos e përmend çështjen lidhur me sa u tha në krye për mbretin në këtë skenë teatri absurd: atë të rektorit (mbret me pupla) apo kryeministrit (mbret me skeptrin në dorë) që godet universitetin, i rrethuar nga oborrtarë sfinafutës dhe një popull lajkatar.
Sidoqoftë, kumti i kryeministrit në këtë skenë ka edhe më shumë se kaq: ai me siguri është prelud i synimit për të kapur edhe postin e rektorit të ri në zgjedhjet e ardhshme.”, përfundon ish-rektori.