Qeveria e Ekuadorit i ka mohuar raportimet se zyrtarët e këtij shteti në Britani të Madhe do ta largojnë themeluesin e faqes “Wikileaks”, Julian Assange, nga ambasada e tyre, ku ka qëndruar për gati shtatë vjet.
Një mik i tij në Londër ka thënë se Assange është bërë gati që të dëbohet nga ndërtesa e ambasadës pasi presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, deklaroi se ai i ka shkelur në mënyrë të përsëritur rregullat e azilit.
Moreno e akuzoi Assangen për dëmtim të marrëdhënieve të Ekuadorit me shtetet tjera përmes ndërhyrjes në politikat e tyre dhe tha se ai nuk ka të drejtë t’i hakojë llogaritë dhe telefonat privatë. Faqja “WikiLeaks” beson se komentet e presidentit janë hakmarrje për raportimin e tyre lidhur me përfshirjen e Morenos në korrupsion.
Sidoqoftë, përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Ekuadorit ka mohuar se ka arritur marrëveshje me qeverinë britanike për ta burgosur Assangen në momentin që ai largohet nga ambasada.
“Ekuadori i mohon kategorikisht lajmet e rreme që kanë qarkulluar së voni në rrjetet sociale lidhur me heqjen e azilit politik që i është dhënë z. Julian Assange që nga viti 2012. Shumë prej këtyre lajmeve janë shpërndarë nga një organizatë e lidhur me Julian Assangen”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, kjo ministri ka bërë të ditur se e rezervon të drejtën për t’ia tërhequr atij azilin politik kurdo që e vlerëson të arsyeshme, shkruan “Reuters”