Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu premtoi se po të rizgjidhet në post, do të aneksojë të gjithë vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor.
Izraelitët i drejtohen qendrave të votimit të martën dhe shefi i ekzekutivit po konkurron për vota me partitë e ekstremit të djathtë, që mbështesin idenë e aneksimit të një pjese të Bregut Perëndimor.
Vendbanimet atje janë të paligjshme, sipas ligjit ndërkombëtar, edhe pse Izraeli këtë nuk e pranon. Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara i njohën lartësitë Golan, të marra nga Siria në vitin 1967, si territor i Izraelit, çka ngjalli reagimin e menjëhershëm të Ligës Arabe, por edhe vetë OKB-së.
Janë rreth 400,000 hebrenj të vendosur në vendbanimet e Bregut Perëndimor dhe 200,000 të tjerë jetojnë në Jerusalemin Lindor. Në Bregun Perëndimor ndërkohë jetojnë gati 2.5 milionë palestinezë.
Këta të fundit duan të krijojnë shtetin e tyre të pavarur në këtë territor të pushtuar, në Jeruzalemin lindor dhe Rripin e Gazës, e prania e vendbanimeve hebreje sipas tyre, e bën të pamundur realizimin e një dëshire të tillë.
Izraeli nga ana tjetër thotë se palestinezët po e përdorin çështjen e vendbanimeve si pretekst për të shmangur bisedimet e paqes. Komentet e Netaniahut konsiderohen si potencialisht shpërthyese përsa i takon një çështjeje, e cila është kthyer prej vitesh në pengesë për procesin e paqes.