Këndimi i himnit të vendeve të tjera është bërë i paligjshëm në Sllovaki. Kjo ndodhi kur ligjvënësit kaluan gabimisht një projektligj. “RT” shkruan se rregullat e reja nuk u vunë re nga askush.
Sipas mediave lokale, anëtarët e Parlamentit fillimisht donin të ndryshonin ligjet ekzistuese mbi simbolet shtetërore, me qëllim finalizimin e dizajnit të uniformës së skuadrës kombëtare të hokejit në akull. Por pastaj ndodhi diçka e papritur.
Projektligji që ata kaluan ndalonte të gjithë ata që këndonin himnet e shteteve të huaja, përveçse nëse një delegacion zyrtar i huaj ishte i pranishëm.
Rregulli i ri ishte futur nga Partia Kombëtare Sllovake e krahut të djathtë… dhe askush nuk e vuri re.
Minoriteti hungarez do të preket i pari nga ndalimi, pasi ata shpesh e këndojnë himnin e tyre gjatë lojës në shtëpi dhe gjatë disa shërbimeve fetare. Sipas amendamentit të ri, tanimë për ta bërë këtë duhet të kesh të ftuar zyrtarë hungarezë.
I gjithë incidenti ndodhi për shkak të “një serie keqkuptimesh,” shpjegoi deputeti Tibor Bastrnak. Ai tha se askush nuk i kushtoi vëmendje asaj që ishte shkruar në projektligj kur u diskutua dhe kur u votua. Ata e morën këtë vesh vetëm më vonë nga mediat.
“Gabime si ky mund të ndodhin. Kjo na ka ndodhur për herë të parë dhe ne kërkojmë ndjesë.”, tha Bastrnak.
Edhe pse ligji ka kaluar në Parlament nuk është dekretuar ende nga presidenti i vendit. Udhëheqësi i partisë “Most Hid”, Bela Bugar, i kërkoi presidentit sllovak të mos e dekretonte.